Qeveria ka nisur një betejë me veteranët e luftës. Të mërkurën ka iniciuar ndryshime ligjore, me qëllimin për të bërë ridefinimin e statusit të veteranëve, por edhe të përftimeve të tyre në pensione.
“Koha Ditore” ka siguruar koncept-dokumentin për fushën e pensioneve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të miratuar nga ekzekutivi, e në të cilin theksohet se sfida kryesore në zbatimin e Ligjit për Veteranët e Luftës është pagesa e pensioneve për veteranët luftëtarë. Kjo sfidë është shfaqur pas verifikimit të listave nga Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të kategorive të luftës, i cili ua ka njohur statusin e veteranit mbi 46 mijë qytetarëve, e të cilët mund të gëzojnë të drejtën në pension. Ky numër konsiderohet të jetë më shumë se dyfishi i qytetarëve që ishin pjesë e UÇK-së.