Qeveria e Kosovës është sprapsur nga planet për të krijuar lehtësira për lojërat e fatit. Të martën i është bindur një rezolute të Kuvendit për ta ndalur veprimtarinë e këtyre bizneseve.
Pa ndonjë debat, në mbledhjen e kabinetit qeveritar është miratuar Projektligji që ndal veprimtarinë e këtyre lojërave. Ky dokument është fare i shkurtër. Përmban gjithsej tri nene, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Me këtë Ligj ndalohen të gjitha lojërat e fatit me përjashtim të Lotarisë së Kosovës”, thuhet në nenin e parë të Projektligjit, që Ekzekutivi ia ka përcjellë Kuvendit për miratim. “Me këtë Ligj shfuqizohet Ligji nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit dhe aktet nënligjore që janë nxjerrë për zbatimin e tij, me përjashtim të dispozitave që ndërlidhen me nenin një (1) të këtij Ligji”, vijohet në të dytin.
Kryeministri Ramush Haradinaj është ai që e ka arsyetuar hartimin e këtij dokumenti.
“Qëllimi i hartimit të Projektligjit për ndalimin e lojërave të fatit është zbatimi i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës… me të cilën kërkohet nga Qeveria që t’i nisë procedurat ligjore për pezullimin e aktiviteteve të të gjitha llojeve të lojërave të fatit, deri në plotësim-ndryshimin e ligjit përkatës dhe në afat prej 30 ditësh ta procedojë në Kuvend, Projektligjin e ri që ndalon të gjitha lojërat e fatit për një periudhë dhjetëvjeçare”, ka thënë Haradinaj.