Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njofton se në bashkëpunim me Ministritë përkatëse, i ka kryer të gjitha procedurat për pagesat e veteranëve dhe tashti çështja është në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta rishqyrtojë buxhetin në afat optimal.
“Së këndejmi, sa i përket borxhit për këtë vit (gusht deri dhjetor 2017) Qeveria i ka siguruar fondet dhe ka proceduar në Kuvendin e Kosovës ndryshimet e buxhetit dhe pret që deputetët të votojnë këto ndryshime sa më shpejt dhe që pensionet të paguhen në mënyrë retroaktive”, thuhet në njoftimin për medie.
“Sa i përket shqetësimit të veteranëve të UÇK-së rreth mospagesës së pensioneve, drejtori i Zyrës për Çështjet e kategorive të dala nga Lufta, në Zyrën e Kryeministrit, Gazmend Syla, ndjen keqardhje që Qeveria e kaluar nuk ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për Veteranët e Luftës”.
Gjithashtu Syla, siguron veteranët se Qeveria Haradinaj, do të ndajë buxhetin për vitin 2018, për pagesën e pensioneve për 12 muaj, pa ndërprerje, për këto kategori.
“Për Qeverinë Haradinaj, tema e pensioneve dhe pagesës me kohë të tyre, nuk është e diskutueshme, sepse është e drejtë e ligjshme e veteranëve të luftës dhe kategorive tjera të lirisë”, thekson komunikata e Zyrës së Kryeministrit.