Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pagesa mujore për të viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës do të jetë 230 euro.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, propozoi që shuma e pensionit për personat e dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës të jetë 230 euro.
Ai siguroi se të gjithë personat që kanë këtë të drejtë do të gëzojnë këtë pension pas verifikimit.
Aty u vendos edhe për themelimin e Sekretarisë së komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusin e personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në përbërje: Labinot Bala, psikolog, Mire Prenaj, punëtore psikosociale, Habibe Nuha, jurist, raporton Ekonomia Online.
Gjithashtu Qeveria ka marrë vendim edhe për kompensimin e anëtarëve të këtij komisioni.
Gjatë ditës drejtoresha ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, për Ekonomia Online, tha ajo se kompensimi duhet të jetë nga 250 deri në 320 euro, kjo bazuar në Ligjin për vlerat e luftës ku përcaktohet shkalla e invaliditetit.
“Është shumë e vështirë se varësisht prej personit do me thënë nevojat janë të ndryshme na kemi shkuar me një shumë të përgjithshme diku 250 euro dhe kur është bë kjo përllogaritje jemi bazuar në disa analiza te Ligji për vlerat e luftës edhe aty e kemi marrë si bazë invaliditetin do me thënë kategoritë që trajtohen si viktima invalid të luftës e kemi marr shkallën 40 deri në 60 për qind ku shumë varion nga 255 në 320”.
“Ne kemi raste që janë invalid edhe 100 për qind ku shuma e kompensimit te invaliteti te ky ligj është shumë më i lartë, por kemi menduar një shumë mesatare do me thënë jo mesatare prej minimale e mundshme vetëm e vetëm për me iu dhënë një jetë më dinjitetshme këtij grupi të ndjeshëm shoqëror se shumica prej tyre janë fatkeqësisht gra, shumica prej tyre nuk kanë arritur të vazhdojnë jetën pas kësaj ngjarje të rëndë traumatike nuk kanë arrit të edukohen nuk kanë arrit të integrohen në shoqëri apo të krijojnë marrëdhënie pune prandaj e kemi menduar që një shumë e tillë do të ishte esenciale për me arrit me mbijetuar sfidat me të cilat ato ballafaqohen”.