Heqje dorë nga energjia me qymyr dhe vendosje të akcizës për veturat dizel, janë vetëm dy kërkesa që ka paraqitur shoqëria civile për Qeverinë e ardhshme. Kjo pasi, sipas tyre, termocentralet dhe vjetërsia e veturave në qarkullim, ngrohja me qymyr dhe me dru, konsiderohen ndotësit më të mëdhenj në Kosovë.
Kërkesat janë paraqitur, të mërkurën, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkorganizim me ekipin e kombeve të bashkuara në Kosovë (UNKT) në kuadër të ngjarjes me titullin SDG Brunch, me temën “Ndotja e ajrit në Kosovë: Prej perspektivës së OZHQ-ve dhe Agjendës 2030”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në kuadër të saj është lansuar fushata lidhur me ndotjen e ajrit në Kosovë, e cila përfshinte edhe mesazhe vetëdijesuese.
Isme Humolli nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka thënë se ajri i kontaminuar afekton të gjithë regjionet e botës, fatkeqësisht më të prekurit janë popullata e vendeve me kushte social-ekonomike të ulëta.