Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe vartësit e tij, sot i kanë marrë pagat pa rritje. Alokimi i pagave të tyre është bërë pak orë më parë. Në Ministrinë e Financave kanë treguar për Express se vendimi për rritjen e pagave është pezulluar, derisa të jepet vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Haradinaj, me një vendim, ia kishte dyfishuar vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave të tij, duke ia kaluar me pagë bruto edhe presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Vendimi i marrë në muajin dhjetor nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që t’ia rrisë vetes pagën dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë, nuk ka arritur të zbatohet fare.
Ky vendim është pezulluar sot, pas reagimeve të ashpra publike, si dhe interpretimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Tash, ky vendim ka shkuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet ta japë edhe mendimin përfundimtar se a ka drejtë Haradinaj ta bëjë këtë rritje, apo jo.
E sot kur është bërë alokimi i pagave, në llogaritë e qeveritarëve ato kanë dalë pa rritje.
Në Ministrinë e Financave kanë treguar për Express se pagat kanë dalë pa rritje.
“Pagat janë shpërndarë disa orë më parë. Ato kanë dalë pa rritje, domethënë nuk është marrë për bazë vendimi i kryeministrit Haradinaj për rritje. Ai vendim është në Gjykatë dhe duhet të pritet deri të jepet faja e fundit. I vetmi ndryshim në paga tani është rritja për 4 për qind, që është bërë rritje në bazë të ligjit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave, shkruan Gazeta Express.
Kryeministri Haradinaj, gjatë ditës se sotme, ka treguar se ka kërkuar që ky vendim të pezullohet përkohësisht, derisa të merret një vendim nga Gjykata Kushtetuese.
“Shqetësimi im dhe i Qeverisë është se ky pezullim godet më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave”, ka treguar Kryeministri.
Këtë vendim Haradinaj e ka marrë pasi që 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë bërë kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij vendimi të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës.
Vendimi i Kryeministrit për rritje pagash për të gjithë kabinetin e tij shkaktoi reagime dhe polemika të shumta, nga zyrtarët, ashtu edhe nga qytetarët.
Haradinaj me një vendim ia dyfishoi vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave të vet, duke ia kaluar me pagë bruto edhe presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.
Deri më tash paga e kryeministrit ka qenë rreth 1.500 euro, ndërsa tash e tutje ajo do të jetë 2.950 euro.
Po ashtu, me ketë vendim të Haradinajt, paga e zëvendëskryeministrave tash e tutje do të jetë 2.500 euro, ndërsa e ministrave nga 2.000 euro.