Qindra persona me aftësi të kufizuara të gatshëm për tregun e punës

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 11:13 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është përmbyllur projekti “Rritja e punësimit për grupet e cenueshme” i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, me ç’rast janë trajnuar qindra persona për t’i bërë gati ata për tregun e punës

Kjo u bë e ditur gjatë një konference të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se ky projekt ka një vlerë shumë të madhe për shoqërinë tonë.

Ai falënderoi BE-në e cila mundësoi realizimin e këtij projekti për të cilin tha se përveç obligimit ligjor e kanë edhe obligim moral dhe fisnik

“Më e veçanta e kësaj është vetëpunësimi që ne po e përhapim në krejt Kosovën duke rritur shpirtin e ndërmarrësisë. E shohim që për dy vite kemi kaluar ligjin për aftësim dhe riaftësim për këta persona. Kemi edhe ligjin për ndërmarrjet sociale që jep mundësi të ndihmohet kjo kategori”, tha Abrashi.

Ai tha se pas pak vjetësh këta persona do të do të  jenë ndërmarrës të suksesshëm dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë.

Ndërsa, paralajmëroi se brenda dy javëve do të fillojnë një program të ri masiv në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës.

Libor Chalad, nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se qëllimi i projektit është që të mundësojnë punësimin e të gjithë personave, pa dallim

“Ne besojmë që është e rëndësishme që askush të mos përjashtohet nga tregu i punës në mënyrë që të gjithë të mundësojnë një jetë aktive dhe të kontribuojnë në të. Mendoj që duhet të bëhet ajo që aftësitë e kufizuara të kthehen në mundësi të kufizuara”, ka thënë ai.

Afrim Maliqi, drejtor i Handikos-it, duek falënderuar institucionet gjegjëse që mundësuan këtë projekt,  tha se arritja më e madhe për ta do të ishte pavarësimi ekonomik.

“Ne do të vazhdojmë t’i rrisim kapacitetet që t’i ndihmojmë këta persona edhe më tej. Kjo punë do të vazhdojë me qëllimin kryesor, pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës si të gjithë qytetarët e tjerë në mënyrë të barabartë”, tha ai.

Bujar Kadria, kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës tha se pjesëmarrja më e madhe e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri eliminon të gjitha barrierat dhe paragjykimeve.

“Ne pa dyshim që sot ndjehemi të privilegjuar kur shohim sukseset tuaja të drejtpërdrejt. Konsideroj që vlerat e këtij projekti do të jenë motiv edhe ma i madh edhe për personat me aftësi të kufizuara që edhe ata mund të hapin një biznes të tyre”, ka thënë ai.

Qëllimi i këtij projekti ishte rritja e mundësisë për punësim për personat me aftësi të kufizuara dhe për t’i larguar ata nga skemat sociale duke i përfshirë në tregun e punës.

Punësimi i tyre do të ndikojë në rritjen e vetëbesimit, pavarësimin e tyre si dhe do të arrihet thyerja e paragjykimeve.

 

Të ngjashme