Këshilli drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka emëruar dy juritë vlerësuese për projektet që kanë aplikuar për mbështetje financiare në këtë vit.
Juria e cila do t’i vlerësoj filmat e metrazhit të gjatë artistik, debutant dhe bashkëprodhimin minorë përbëhet nga akademik Eqrem Basha, Zymber Kelmendi skenarist, Visar Morina regjisor, Alban Ukaj aktor, Artur Tahiraj regjisor, ndërsa anëtarët ndërkombëtar në këtë përbërje janë Elma Tataragic skenariste dhe programere e festivalit të filmit të Sarajevës dhe producenti i njohur slloven Danijel Hocevar.
Ndërsa pjesë e jurisë të cilët do t’i vlerësojnë projektet e filmit të shkurt artistik, filmit dokumentar, të animuar dhe zhvillim skenari është Agron Vula montazher, Arben Bajraktaraj aktor, Ramadan Musliu shkrimtar, Kaltrina Krasniqi regjisore, Bujar Luma regjisor, Imer Mushkolaj publicist-aktor, dhe Arzana Kraja regjisore.
Të dy përbërjet e jurisë do t’i vlerojnë rreth 70 projekte filmike dhe vendimi pritet të merret në fund të muajit shtator.
Buxheti i QKK-së sivjet është rritur në 1 milion euro nga ana e Qeverisë nga 750 mijë sa ishte në fillim të vitit, kjo pas suksesit që filmat e QKK-së sollën në arenën ndërkombëtare e veqanarisht nominimi i filmit SHOK për OSCAR.