Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Hafir Shala” në Drenas është qendra e parë në Kosovë që po behët me sistemin informativ (digjitalizim) ku secili pacient do të regjistrohet përmes aplikacionit përkatës.
QKMF-ja në Drenas është vizituar nga përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, Zenel Hysenaj me ekipin e tij dhe përfaqësuesi e Bankës Botërore Dorethee Chan me ekipin e ekspertëve, për të parë nga afër implementimin e projektit të filluar nga Ministria e Shëndetësisë, respektivisht nga departamenti i IT-së nga kjo ministri.
Në këtë vizitë ishte edhe nënkryetari i Komunës së Drenasit, Gani Sylaj, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsim Haxhiu si dhe drejtori i QKMF, Ismet Bogiqi.
Ky projekt pritet të jetësohet në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ne gjithë rrjetin e kujdesit parësor shëndetësor në Komunën e Drenasit, ku ne kohë reale do të përfitonin të gjitha të dhënat e mundshme lidhur me punën dhe procedurat e punëtorëve shëndetësor dhe pacientëve.