QKMF-ja në Prishtinë ka në dispozicion 15 shtretër për pacientët me Covid-19, janë mobilizuar të gjitha qendrat

Prishtinë | 28 Gus 2021 | 07:35 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas evidentimit të situatës në terren, është pasqyruar një numër i lartë i qytetarëve të cilët po kërkojnë shërbime parenterale si infuzionet për trajtimin e Covid-19, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Prishtinë.

Drejtori i kësaj Qendre, Rrezart Halili ka njoftuar për Ekonomia Online se aktualisht në 15 qendra të mjekësisë familjare në kryeqytet po ofrohen shërbime për trajtim të Covid-19.

“Edhe pse kemi një numër të madh të qytetarëve të Prishtinës të cilët kërkojnë ndihmë sa i përket shërbimeve shëndetësore të cilat ndërlidhen me virusin Covid-19, QKMF në Prishtinë është duke ia dalë që t’u ofrojë ndihmë këtyre qytetarëve në çdo moment, sikurse vizita mjekësore po ashtu edhe shërbimeve të trajtimit të terapisë parenterale për të cilat qytetarët e Prishtinës kanë nevojë shumë”.

“Momentalisht jemi duke ofruar këtë shërbim në 15 qendra të mjekësisë familjare në dy ndërrime ku volumi i këtyre kërkesave është mjaftë i madh. Sot kemi bërë një hulumtim të statistikave të cilat i kemi marrë nga terreni, numri i kërkesave është mjaftë i madh nga qytetarët të cilët kërkojnë shërbimin parenteral, infuzionet për trajtimin e Covid-19”, është shprehur ai.

Tutje Halili ka njoftuar se në rast të rritjes edhe më të madhe të pranimit të rasteve me Covid-19, QKMF-ja ka në dispozicion edhe 15 shtretër ku mund t’i trajtojë qytetarët.

“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare po ashtu është e përgatitur që në rast të një rritje edhe më të madhe të rasteve e kemi edhe Qendrën e Mjekësisë Familjare numër VII, e cila për momentin është duke ofruar këtë shërbim të terapisë parenterale por e kemi edhe katin e dytë ku i kemi së paku 15 shtretër të cilët mund të aktivizohen në rast të një ngritje të numrit edhe më të madh të qytetarëve të cilët e kërkojnë këtë shërbim”, ka shtuar ai.

Halili ka thënë se janë të përgatitur edhe për ofrimin e vaksinimit anti-Covid , por që salla “1 Tetori sipas tij, mbetet vendi ideal për këtë proces.

“Ne kemi të përgatitura në çdo moment qendrat e mjekësisë familjare për ofrimin e këtij shërbimi, por mendojmë që salla ‘1 Tetori’ për momentin është objekti më ideal apo kushtet më ideale për ofrimin e këtij shërbimi pasi që pritja  pas vaksinimit, akomodimi i qytetarëve derisa zhvillohen procedurat administrative janë më të përshtatshme atje”, ka përfunduar ai për EO.

Të ngjashme