Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e ka vlerësuar të ngutshme ratifikimin e Marrëveshjes me Danimarkën për burgjet, në Kuvendin e Kosovës.
Sipas QKRMT-së ka pasur mungesë të debatit publik lidhur me Marrëveshjen, përkatësisht zbatimin e saj dhe efektet në praktikë.
“Përveç mungesës së debatit në Kuvend, për këtë Marrëveshje nuk është organizuar nga institucionet qeveritare asnjë diskutim me ekspertët e fushës, shoqërinë civile apo organizatat e të drejtave të njeriut. I vetmi diskutim për këtë Marrëveshje është organizuar nga QKRMT në vitin 2022, ku në prezantimet e tyre ekspertët ndërkombëtar i patën paraqitur sfidat eventuale në zbatimin e kësaj marrëveshje”, thuhet në reagim.
QKRMT thekson se aktualisht në burgun e Gjilanit gjendet rreth 200 të burgosur, të cilët me rastin e ratifikimit të kësaj Marrëveshje duhet të zhvendosen në burgjet e tjera.
“Sistemi Korrektues në Kosovë momentalisht nuk ka hapësira të veçanta për vendosjen e të paraburgosurve, Qendrat e Paraburgimit në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë janë pothuajse të mbushura me të paraburgosur dhe aktualisht nuk ka vende të lira.
Andaj, zhvendosja e të paraburgosurve nga Burgu i Gjilanit, duhet të bëhet me kujdes të veçantë në mënyrë që mos të bjerë standardi i ndërtuar ndër vite për vendosjen e të paraburgosurve”, thekson QKRMT.
Së fundmi, Komiteti i OKB-së kundër Torturës ka shprehur shqetësim e saj në raport me këtë Marrëveshje duke vënë në spikamë rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut, nëse të burgosurit transferohen për të vuajtur dënimin nga Danimarka në Kosovë.
“QKRMT konsideron se institucionet e Kosovës së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë punuar shumë për të përmirësuar kushtet e burgjeve dhe për ta afruar atë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe për këtë arsye duhet me kujdes të veçantë të fillojë zbatimi i kësaj Marrëveshje”, thuhet tutje.
QKRMT i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë, që fillimisht të bëjë zgjidhjen e duhur për vendosjen e të burgosurve që aktualisht gjenden në Burgun e Gjilanit, në mënyrë që vendosja dhe trajtimi i tyre të jetë në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.
Po ashtu QKRMT bën thirrje që të ruhen standardet e krijuara dhe mos të lejohet që të krijohen standarde të dyfishte të kushteve të të burgosurve brenda Republikës së Kosovës. QKRMT, gjithashtu kërkon nga institucionet që organizatave të shoqërisë civile t’u mundësohet monitorimi i të drejtave të njeriut në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka, me qëllim garantimin e aplikimit të standardeve dhe rregullave ndërkombëtare për personat e privuar nga liria.