QKRMT gjen se Policia ushtroi dhunë e nuk u dha ndihmën e nevojshme aktivistëve të SKV-së

Prishtinë | 14 Pri 2018 | 14:35 | Nga

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka vizituar dhe ka intervistuar të arrestuarit nga Policia e Kosovës gjatë aksionit në Parkun e Qytetit në Prishtinë me 12.04.2018.

Kjo organizatë thotë se nga intervistimi i të arrestuarve, shikimi i dosjeve policore dhe evidencave mjekësore dhe observimi, ka vërejtur se gjatë fazës së arrestimit të aktivistëve të organizatës studentore “Studim Kritikë Veprim”, transportimit të tyre me makina të policisë sikurse edhe gjatë qëndrimit në Stacionin Policor në Prishtinë, Policia e Kosovës ka përdorë dhunë fizike dhe ofendime si fyerje, sharje e kërcënime ndaj tyre.

“Të gjithë të arrestuarit janë ankuar se policia ka ushtruar dhunë fizike dhe ofendime ndaj tyre. Më tutje, evidencat mjekësore të tyre konstatojnë lëndime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit si: ndrydhje, gërvishtje, skuqje, etj”, thuhet në reagimin e QKRMT-së, për të shtuar se ka marrë pohime se përveç njërit nga të arrestuarit i vendosur në Stacionin Policor në Lipjan, të tjerëve nuk u është ofruar trajtim i duhur mjekësor.

“Përkundër dhimbjeve të theksuara pesë nga të arrestuarit nuk marrin ndonjë medikament për trajtimin e dhimbjeve”.

QKRMT duke vepruar në kuadër të mandatit të saj i sheh këto veprime të Policisë së Kosovës si krejtësisht të panevojshme dhe absolutisht të papranueshme.

“Si të tilla këto sjellje përbëjnë keqtrajtim të personave të arrestuar dhe të privuar nga liria, trajtim jonjerëzor, degradues dhe poshtërues. Përtej situatës që ka çuar në arrestimin dhe ndalimin e tyre, veprimet e tilla të Policisë së Kosovës ndaj të arrestuarve është e panevojshme dhe si e tillë e ndëshkueshme në pajtim me legjislacionin vendor dhe instrumentet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.

QKRMT fton Inspektoratin Policor të Kosovës që të hetojë këto pretendime për përdorimin e panevojshëm dhe të tepruar të forcës nga zyrtarët e Policisë së Kosovës ndaj personave të arrestuar në këtë rast.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme