QKSS: Luftëtarët e kthyer duhet të riintegrohen

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 13:32 | Nga

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) sot ka publikuar raportin e titulluar “Riintegrimi i luftëtarëve të huaj të rikthyer: Çfarë qasje i përshtatet më së miri Kosovës?”. Përmes këtij raporti QKSS ka për qëllim të sjellë një program alternativ për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të radikalizuar.

Sikurse në shumë shtete të botës edhe Kosova është duke u ballafaquar me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm. Sfidë të veçantë paraqesin luftëtarët e huaj të rikthyer në Kosovë, si dhe individët të cilët nuk kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, por që konsiderohen si të afektuar me këtë fenomen. Si përgjigje ndaj këtij fenomeni, ky raport ngërthen në vete programe rehabilituese dhe risocializuese për këto kategori individësh të cilët duhet të iu nënshtrohen para rikthimit të tyre në shoqëri.

Meqë Kosova nuk ka përvojë me trajtimin e luftëtarëve të huaj të kthyer, sidomos me programet që synojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të radikalizuar, ky dokument përshtat disa modele dhe përvoja që i kanë përvetësuar disa shtete. Ky raport analizon modelet e tri rasteve të studiuara: Gjermanisë, Danimarkës dhe Arabisë Saudite. Duke analizuar modele të tilla, QKSS ofron një program alternativ të ndarë në tri faza: fazën rehabilituese, risocializuese si dhe atë të pos lirimit.

Krahasuar me vende të tjera evropiane, kapacitetet institucionale për të hartuar dhe zbatuar programe të suksesshme riintegrimi janë tejet të kufizuara. Korniza e sotme ligjore, nëpërmjet sistemeve korrektuese dhe institucioneve të ngjashme, nuk jep zgjidhje të mjaftueshme meqë nuk përputhet me gjendjen në terren. Është një nevojë urgjente që Kosova duhet ta ndërtojë modelin vetanak duke u bazuar në kapacitetet lokale dhe kontekstin për raste specifike, por një program i detajuar risocializimi dhe riintegrimi për personat e radikalizuar ende mbetet për t’u zhvilluar për të plotësuar kornizën ligjore.

Ky raport thekson faktin se, ndonëse diçka e re për Kosovën, riintegrimi i ish-luftëtarëve të huaj dhe individëve te tjerë të radikalizuar paraqet sfidë që duhet adresuar si duhet nga shërbimet e saj korrektuese dhe akterët e tjerë relevantë. Në të vërtetë, programi i rehabilitimit për Luftëtarët e huaj të kthyer duhet të synohet shumë më qartë nga politikat. Në trajtimin e kësaj çështjeje, kur është fjala që Kosova t’a zhvillojë programin e vet të rehabilitimit dhe të riintegrimit, raporti propozon se mund të përdoret një përzierje më e larmishme e masave të forta dhe të buta.

Si i tillë, ky raport ka përpiluar masa efektive për institucionet e Kosovës nga strategjitë e ndryshme kombëtare me shpresën që të merren parasysh këto masa dhe të sigurohet implementim më i mirë i mundshëm brenda modelit Kosovar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme