QKSS: Policët që kanë fletarreste nga Serbia të kenë kujdes në lëvizje

Prishtinë | 14 Tet 2016 | 11:14 | Nga

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka vlerësuar pozitivisht nismën e Policisë së Kosovës për pjesëtarët e saj që të mos kalojnë në territorin e Serbisë pas arrestimit të Nehat Thaçit shkruan zëri.info.

Hulumtuesi në QKSS, Plator Avdiu konstaton se veprimi i PK-së tregon një paralajmërim për policët që kanë fletarreste nga Serbia. Sipas tij këta policë duhet të jenë vigjilent sa i përket lëvizjes në shtetin fqinj.

“Edhe mos-anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL në këtë drejtim i shkakton vendit pasoja të mëdha duke pamundësuar heqjen nga lista e INTERPOL-it të qytetarëve të Kosovës, përfshirë këtu zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët akuzohen nga Serbia pa bazë juridike”, ka deklaruar Avdiu. Ai tutje sugjeron institucionet e vendit në radhë të parë Qverinë e Kosovës që të kushtëzojë Dialogun me Serbinë me heqjen e këtyre fletëarresteve.

“Ekzekutivi kosovar, po ashtu, duhet të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë që të heq nga lista e personave të kërkuar ndërkombëtarisht qytetarët e Kosovës, për ndjekjen dhe hetimin e të cilëve Serbia nuk ka mbështetje juridike”, ka përfunduar Avdiu.

Veprimin e policisë e përkrahë edhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani. Sipas tij kjo çështje është për tu mbështetur për shkak të agresivitetit të policisë serbe ndaj policëve kosovarë.

“Veçmas ish pjesëtarët e UCK- së nuk duhet të marrin rrugë për Serbi. Përderisa janë në fuqi urdhrat e Millosheviqit në Serbi. Që deri tash asnjëherë Serbia nuk i ka hequr këta urdhra për arrestime të shqiptarëve”, ka përfunduar Burjani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme