QNR fillon numërimin e votave me kusht

Prishtinë | 24 Pri 2023 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka njoftuar se sot ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht për Zgjedhjet e 23 prillit 2023.

“Zyra ju njofton që sot më 24 prill 2023 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht për Zgjedhjet e 23 prillit 2023”, thuhet në njoftim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur mbrëmë rezultatet preliminare të katër komunave në veri të vendit, ku sipas rezultateve Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna që në raundin e parë.

Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 73.5 për qind të votave në Leposaviq, apo 100 vota gjithsej, derisa rivalja e tij nga PDK mori 25% apo 34 vota.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej, Taulant Kelmendi i PDK-së 186 vota ndërsa Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare 75 vota.

Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota derisa Flatron Hasani i LVV-së mori 180 vota.

Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota derisa rivali i tij Fetah Peci i LVV-së 71 vota apo 37.4%.

Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.

Nga dhjetë kandidatë për postet e kryetarëve, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb, pasi Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla nga radhët e këtij komuniteti i bojkotuan zgjedhjet me kërkesën e Serbisë.

Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Të ngjashme