Vigan Qorrolli është analist politik dhe flet në linjë me ambasadoren gjermane, kur i referohet stabilitetit të Qeverisë që mund ta bënte PAN-i me komunitetet dhe me tre deputetët e AKR-së.
Ai i ka thënë gazetës se një Qeveri e tillë do të ishte jetëshkurtër.
“Ka dy skenarë: i pari, nëse Pacolli largohet nga koalicioni LAA dhe i bashkohet koalicionit PAN në Qeveri; i dyti është nëse ai e voton, por nuk hyn në Qeveri, e në të cilën situatë do të kishim të bënim me Qeveri të pakicës. Kjo i bie që nuk ka mundësi mbijetese katërvjeçare një Qeveri me 61, 62, 63 numra. Nuk ka mundësi mbijetese për ta kryer një mandat kushtetues një Qeveri e tillë, sepse është e luhatshme”, ka thënë Qorrolli, për Kohën Ditore.
“Një Qeveri e tillë nuk do të mundë të kalonte çështje me rëndësi sikur është demarkacioni, pastaj as marrëveshjen përfundimtare të mundshme me Serbinë, e as të kalojë ndryshimet kushtetuese që kërkohen, qoftë për formimin e ushtrisë apo edhe të tjera”.