Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, delegacionit të Bashkimit Europian në Bosnjë e Hercegovinë dhe Përfaqësuesit Special të BE-së në këtë vend kanë dalë me një deklaratë të përbashkët duke i dhënë mbështetje sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe karakterit shumetnik të Bosnjës.
Reagimi i tyre vjen pasi Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar një rezolutë që kërkon që Millorad Dodik, presidenti prorus i këtij entiteti serb, të mos i përgjigjet thirrjes për paraqitje të lëshuar nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës derisa të jetë mirë me shëndet. Dodik po përballet me gjykim pasi ka nënshkruar një dekret presidencial duke i shpallur të vlefshme dy ligje në entitetin serb që paraprakisht ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.
“I gjithë legjislacioni dhe konkluzionet e miratuara nga organet e nivelit më të ulët – duke përfshirë organet parlamentare të të dy entiteteve – duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të BiH. Më tej, asnjë entitet nuk ka autoritetin për të sfiduar përparësinë e institucioneve apo ligjeve të BiH. Konkluzionet e miratuara nga RSNA (Asambleja e RS) mbrëmë përbëjnë një kërcënim serioz për rendin kushtetues të vendit dhe si të tilla janë kundër Dejtonit dhe dëmtojnë drejtpërdrejt autoritetin e institucioneve të shtetit të së drejtës në nivel shtetëror dhe rrugën euroatlantike të BiH”.
Këto vende thanë se në një kohë kur hapja zyrtare e negociatave të pranimit në BE nuk ka qenë kurrë kaq afër, një kthim në bllokadat politike do të kishte pasoja negative për të gjithë qytetarët e BiH, shumica e të cilëve mbështesin pranimin në BE.
“Ne, Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, së bashku me Delegacionin e Bashkimit Europian në BiH dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, përsërisim mbështetjen tonë për sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të BiH-së, dhe [ër Përfaqësuesin e Lartë, i cili, në përputhje me autoritetin e tij sipas PDSH / Aneksit X, mban përgjegjësinë si përkthyesi përfundimtar i aspekteve civile të PDSH-së”.
Këtë deklaratë e ka shpërndarë edhe ambasadori Boris Ruge, ndihmëssekretar i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë.
Ai tha se NATO është duke e përcjellë nga afër situatën atje, përfshirë edhe konkluzionet që ka nxjerrë Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska.
“NATO po ndjek nga afër ngjarjet në Bosnje, përfshirë konkluzionet e RSNA. Ne ndajmë shqetësimet e shprehura nga QUINT. NATO mbështet plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të BeH si dhe autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë sipas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”.
#NATO is following events in #Bosnia closely, incl the RSNA conclusions. We share the concerns expressed by the Quint. NATO fully supports the sovereignty, independence & territorial integrity of BiH as well as the High Representative's authority under the Dayton Peace Agreement. https://t.co/XgT8WZQ8Pc
— Boris Ruge (@RugeBoris) December 25, 2024