Qytetarët e Graçanicës ngarkohen me fatura më të larta në kundërshtim me Rregulloren

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 07:32 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e pushtetit komunal në Graçanicë kanë diskriminuar qytetarët kur kanë aplikuar çmim më të lartë të faturave të tatimit në pronë në kundërshtim me rregulloren përkatëse.

Megjithëse ky dokument i parasheh katër zona në të cilat ndryshon edhe çmimi, zyrtarët komunalë kanë aplikuar faturat vetëm për tri zona. Kjo, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ka bërë që të ketë mbifaturim për më shumë se 6 mijë euro dhe nënfaturim për afro 1 mijë euro, shkruan KOHA.

“Gjatë testimit në 9 fatura të tatimit në pronë dhe në protax (databaza e tatimit në pronë), zonat komunale të vlerësimit të tatimpaguesve nuk janë vendosur sipas zonave të përcaktuara në rregullore. Kjo ka ndikuar që në 8 fatura tatimpaguesit të ngarkohen me tatime më të larta dhe 1 faturë me tatime më të ulëta sesa është dashur. Pra, kemi mbifaturim prej 6475 eurosh, si dhe nënfaturim prej 743 eurosh”, thuhet në raportin vjetor të ZKA-së për Komunën e Graçanicës.

Sipas zyrtarëve komunalë për tatimin në pronë, kjo ka ndodhur pasi sistemi aktual ka tri zona kadastrale dhe nuk e ofron zonën IV (magjistralen Prishtinë-Ferizaj) dhe sistemi nuk është azhurnuar me kërkesat e Rregullores së re. Auditori ka gjetur se gjatë vitit 2019, Komuna e Graçanicës ka bërë edhe favorizim të markave të caktuara për rekuizita sportive, që është në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme