Postimi në rrjete sociale i një njoftimi që paralajmëronte ndërtimin e një lagjeje luksoze buzë Liqenit të Badovcit, ka mobilizuar qytetarët në mbrojtje të këtij aseti strategjik. Rreth 24 mijë qytetarë janë bashkuar në një grup në rrjetin social Facebook për të kundërshtuar ndërtimin e paralajmëruar nga tri kompani.
Është iniciuar edhe një peticion online, me të cilin iu ka kërkuar autoriteteve që të ndalojnë menjëherë çdo aktivitet që mundëson ndërtimin në atë zonë. Rrezikimi i ujit të pijshëm për banorët e rajonit të Prishtinës dhe lejimi i degradimit të natyrës nga vetë institucionet e Kosovës janë shqetësimet që ka ngritur te qytetarët planifikimi i ndërtimit të lagjes të quajtur “Lakeside Gardens”, që në shqip i bie “Parqet buzë liqenit”.
Projekti për ndërtimin e lagjes në Badovc është bërë publik më 8 janar të këtij viti. Në një postim në Facebook, kompania “KAWA Grup” ka bërë publike se është zyrtarizuar marrëveshja trepalëshe me pronarin e tokës Rrahman Haradini dhe me kompaninë “4M Group” për realizimin e lagjes “Lakeside Gardens”. Projekti është realizuar nga kompania “Lakeside Gardens”, e cila është pronë e Haradinit, shkruan sot Koha Ditore.
Presioni qytetar ka nxjerrë në pah prapaskenat institucionale të lejimit të këtij projekti. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Komuna e Prishtinës, duke mos u treguar transparente për procesin, janë munduar që fajin ta hedhin tek njëra-tjetrën për lëshimin e kushteve ndërtimore për këtë projekt. Të dyja e kanë “shfajësuar” veten.
Komuna e Prishtinës fillimisht nuk e pranoi se kishte dhënë kushte mjedisore, vetëm pasi gazeta argumentoi se ka lëshuar këtë dokument, u mundua që ta arsyetojë veten, duke thënë se kjo është bërë pas obligimit nga Ministria.
Kjo është mohuar nga Ministria, e cila ka thënë se nuk e obligoi Komunën që të veprojë në mënyrë të jashtëligjshme, por vetëm të respektojë dispozitat ligjore për marrjen e vendimit. Por ajo nuk treguar se a i ka respektuar Komuna e Prishtinës dispozitat ligjore me rastin e lëshimit të kushteve ndërtimore.
Ministri në detyrë, Fatmir Matoshi, ka thënë se do të verifikojë dokumentet e lëshuara lidhur me projektin në fjalë dhe në rast të evidentimit të shkeljeve eventuale, do të ndërmarrin masa meritore.
Kjo amulli e krijuar, ka ngritur dyshime tek qytetarët. Themeluesi i Grupit për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, Ardian Nrecaj ka thënë se janë të brengosur me jotransparencën në planifikimet për ndërtime në një aset që, siç ka thënë, ka rëndësi natyrore dhe jetësore për qytetarët.
“Iniciativa për mbrojtjen e Badovcit ka filluar si ide për t’iu dhënë zë qytetarëve në mbrojtje të Liqenit, nga ku qytetarët e Prishtinës e marrin ujin e pijes, si dhe e përdorin për rekreacion”, ka thënë Nrecaj.
Ka pyetur se si ka mundësi që deri më sot nuk është lejuar asnjë ndërtim në këtë zonë, ndërsa dihet se në Liqenin e Batllavës janë rrënuar ndërtimet në brigje të liqenit, e këtu po konsiderohet dhënia e lejes.