Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e iniciuar nga partitë opozitare me 78 vota për rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”.
Qytetarët e Kosovës kanë mirëpritur rrëzimin e kësaj qeverie, për faktin siç thonë ata, që proceset të cilat kanë qenë në të mirë të qytetarëve nuk kanë shkuar ashtu siç është premtuar, raporton Ekonomia Online.
Qytetari Xhevat Hasani, i cili me profesion është mësues ka thënë para kamerës së Ekonomia Online se kjo qeveri është dashur që moti të rrëzohet. Madje ai ka shprehur edhe preferencat e tij duke thënë që PDK-ja do jetë partia, e cila do marrë legjislaturën e ardhshme.
“Kjo qeveri moti kohë është dashur që të rrëzohet, ose mos të bëhet fare. Pritshmëritë e mija nuk ndryshojnë shumë, sepse mendoj që Partia Demokratike do jetë ajo që do të triumfojë në fund të zgjedhjeve”, ka thënë Hasani.
Në anën tjetër edhe Isa Spahiu i cili është i papunë ka treguar që ka mirëpritur këtë qeveri, e cila u rrëzua sot me votimin e mocionit në Kuvend. Ky qytetar për dallim nga mësuesi Hasani, ka thënë se shpresat kanë mbetur vetëm tek Lëvizja Vetëvendosje.
“Po shumë e kam mirëpritur këtë rrëzim të qeverisë. Kjo qeveri ka sjell varfëri tek qytetarët. Zgjedhjet besoj shumë që do t’i marrin, e do t’i fitojnë të rinjtë. Shpresa jonë tashmë ka mbet vetëm tek Vetëvendosja”, ka thënë Hasani, duke shtuar se Mustafa nuk ka pasur fare nevojë të hyjë në koalicion me PDK-në.
Kurse të rinjtë janë më kritik duke thënë se prishja e Qeverisë në këtë mënyrë nuk i ndihmon vendit që të shkojë përpara.
“Fare nuk më ka pëlqyer mënyra e rrëzimit të Qeverisë. Kjo mënyrë nuk e qon vendin përpara, sepse shumë marrëveshje të cilat janë bërë me Bashkimin Evropian tashmë do të bllokohen, njëjtë sikurse edhe marrëveshja me Demarkacionin”, ka thënë Nik Maloku i cili është student dhe thotë që asnjëra parti nuk i përmbush kushtet për të qenë e preferuara e tij.
Por ka edhe të tillë që thonë që kjo qeveri është qeveria që më së paku ka merituar që të bjerë në këtë mënyrë.
“Nuk mendoj që kjo qeveri ka merituar të rrëzohet. Deri më tani kjo qeveri ka qenë më e mira, dhe në zgjedhje padyshim që LDK do të dal e para”, ka thënë Hamide Krasniqi, qytetare.
Mocioni kundër qeverisë ishte nisur nga NISMA për Kosovën dhe u përkrah nga deputet të pozitës dhe opozitës.