Qytetarët e Prishtinës të ndarë për fituesin, por megjithatë urojnë që të fitojë më i mirë, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse vlerësojnë se nuk ka investime, por mbetën me shpresën që kushdo që do të dalë i pari në zgjedhjet lokale në këtë raund të dytë, do të punojë më shumë për kryeqytetin.
Qytetari nga Prishtina, Hilmi Rrahmani, u shpreh se deri më tani ka pasur pak investime.
“Po, kam votuar, pres të fitojë më i miri. Të shohim investimet për vitet e ardhshme, deri më tani pak. Presim duhet me pasë, përndryshe po shkon zhag”, tha Rrahmani.
E Haliti Islami ka një të preferuar.
“Po, kam votuar, pres nga këto zgjedhje mirë prej Hajrulla Çekut. Hajrulla Çeku është më talent, prej se mbaj mend, kryetar i Kuvendit dhe në Komunë të Prishtinës nuk ka qenë më talent se ky Hajrulla Çeku. Unë jetoj në Bardhosh dhe shumica prej tyre ia kemi hedhur votën Hajrulla Çekut”, tha Islami.
Tjetër preferencë ka Jetullah Beqiri.
“Kemi votu sot dhe presim të fitojë më i miri, e ai që është më i miri është ai që ka punu deri sot për Prishtinën. Për me ndryshu, ai duhet vetëm me vazhdu projektet e veta, kurrgjë më shumë, dhe me i arrit projektet e veta e jo sikur deri më sot që ka pasur pengesa”, tha ai.
Sot, më 09.11.2025 po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 18 komuna të cilat nuk kanë arritur që në zgjedhjet e 12 tetorit të nxjerrin një fitues.
Në Komunën e Prishtinës, në garë për të parin e kësaj komune është Përparim Rama nga LDK dhe ai i LVV-së, Hajrulla Çeku.


