Qytetarët shqiptarë vijojnë të konsumojnë një sasi shumë të ulët të mishit, pavarësisht se është një ndër produktet bazë të shportës dhe po ashtu përpos rritjes së vazhdueshme dhe investimeve në teknologji të industrisë së përpunimit të mishit.
Kështu sipas një studimi sektorial mbi këtë industri, bëhet me dije se qytetarët shqiptarë konsumojnë mesatarisht 39.1 kilogramë mish për frymë në një vit apo 3.2 kilogramë në muaj. Me këtë sasi konsumi, Shqipëria arrin vetëm gjysmën e mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian, sa i takon konsumit te mishit për frymë e cila regjistrohet në 80.4 kilogramë.
Shifrat e zbardhura i përkasin vitit 2018, dhe sipas studimit përgjatë periudhës 2014-2018, konsumi shqiptar për frymë i këtij produkti ka mbetur në të njëjtat nivele. Shkak, mesa duket është zëvendësimi i këtij produkti me drithëra të ndryshme, por edhe kosto e lartë e tij, ku çmimi mesatar i shitjes në treg i mishit të gjedhit është afro në 900/lekë [7.5 euro] për kilogram, çka bën që shumica e familjeve shqiptare të “kursejnë” në këtë drejtim për shkak të të ardhurave të ulëta që kanë. Më së shumti konsumohet mishi i gjedhit dhe më pak mishi i derrit dhe shpendëve.
Referuar dokumentit, Shqipëria ka një deficit të rëndësishëm tregtar në mish dhe produkte të përpunuara të mishit në vlerën 91 milionë euro në vitin 2019.
Gjatë këtij viti, Shqipëria importoi 91.5 milionë euro mish dhe produkte të përpunuara të mishit dhe eksportoi 0.5 milionë euro, ku SHBA, Brazili dhe Greqia janë partnerët kryesore. Megjithatë preferenca e konsumatorëve mbetet për “mishin e freskët”, që do të thotë nga kafshët e therura së fundmi.
Gjithashtu, preferohen “pulat e fermës” mbi pulat “industriale”. Ndërsa, prodhimi vendas i mishit konsiderohet cilësi më e mirë në krahasim me mishin e importuar dhe qytetarët janë të gatshëm të paguajnë më shtrenjtë për blerjen e produkteve vendase.