Kosova ka marrë shumë urime në këtë 10-vjetor të Pavarësisë së saj, të arritur me aq sakrifica.
Krerë shtetesh, ndër të cilët edhe vet shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, Mbretëresha Elizabeth II dhe Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard, përcollën urimet e tyre më të mira për 10 vitet e shtetësisë së saj.
Por, në këtë përvjetor të rëndësishëm për vendin mbërrijnë edhe disa përgëzime mjaft të veçanta, të mbledhura bashkë në një video nga dy të rinj kosovarë, që studiojnë në Vjenë të Austrisë, Freskim Mustafa dhe Galdim Hajredinaj.
Ata kanë përfshirë mesazhet që i dërgojnë Kosovës në këtë ditë gëzimi për të, njerëz nga vende të ndryshme të botës. Videoja nis pikërisht me urimin e dy të rinjve serbë.
– Ç’kemi, unë jam Robert. Dhe unë jam Ina. Ne jemi nga Serbia dhe gëzuar ditëlindjen Kosovë!
– Unë jam nga Sllovakia, gëzuar ditëlindjen Kosovë!
– Dhe unë jam nga Rusia, gëzuar ditëlindjen Kosovë!
– Ne jemi nga Brazili, Kosovë gëzuar ditëlindjen!
Videoja vazhdon me urimet e disa vajzave nga Meksika, Spanja, Japonia, Koreja, Ukraina, Zvicra, Madagaskar, e nuk mungojnë as zërat përgëzues nga Britania, Gjermania, Portugalia e plot vende të tjera.
Kosova, shteti më i ri i Europës, kremton 10 vitet e mëvetësisë së njohur nga 115 vende të tjera të botës, një shifër kjo për të cilën presidenti Hashim Thaçi përplaset me ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili numëron dy njohje më shumë.
https://www.facebook.com/ffmustafa/videos/10211736545952817/