Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin kryesor të Prishtinës për të protestuar kundër krimit dhe korrupsionit, pas publikimit të përgjimeve ku protagonistë janë zyrtarë të PDK-së, njëherësh zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Si herëve të kaluara edhe sot marshi i qytetarëve ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe ka vazhduar tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, më pas kanë hedhur disa mbeturina në oborrin e qeverisë.
Aty është parë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, deputetë e shumë anëtarë të kësaj Lëvizje.
Protestuesit po mbanin pankarta me shkrime ironizuese ndaj bisedave të përgjuara të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci me bashkëpartiakët e tij.
Aulona Mehmeti, njëra ndër organizatoret e protestës së shtatë, tha se qeveritarët më shumë e meritojnë burgun se sa të jenë në zyrat e drejtimit të shtetit.
“Ne qytetarët e Kosovës, jemi mbledhur për të shtatën herë për të mos e lënë sojin tuaj të na keqqeverisë. Protestojmë kundër jush, të nëntokës e mbitokës që nuk latë gjë pa vjedhur institucion pa keqpërdorur e parim pa shkelur. Ju që u pasuruat e qe neve na varfëruat. Ju që më shumë se qeverisjen e meritoni burgun. Ju plehra që plehra do ju japim”, tha Mehmeti ndërsa deklarata e saj u përsërit në kor nga të gjithë të pranishmit në protestë.