Komuna e Prishtinës ka përmbyllur vitin e kaluar me 77 padi për kompensime të ndryshme dëmesh, nga qytetarët e saj, të cilët përmes gjykatave i kanë kërkuar dëmshpërblim në vlerë prej mbi 38 milionë eurosh.
Ndërsa, gjithsej Zyra e përfaqësimit juridik e komunës ka pasur në trajtim 738 lëndë të natyrave të ndryshme, prej të cilave 77 kanë të bëjnë vetëm me kompensim dëmi apo borxhi. Kurse lëndët e tjera janë pronësore, administrative, banesore, penale etj. Këto të dhëna figurojnë në dokumentet zyrtare të Komunës, ndërkaq për këtë çështje vërejtje ka marrë edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, shkruan sot Koha Ditore.
Viteve të fundit Komuna më e madhe në vend vazhdimisht është ballafaquar me padi të shumta nëpër gjykata për kompensim dëmi, nga paditësit, për arsye të ndryshme, ku paditë për shkak të vendimeve që ka sjellë Komuna janë konsideruar të dëmshme.
E drejtues të Komunës, ndonëse për këtë çështje vit pas viti u është tërhequr vërejtja edhe nga auditori, verifikohet se nuk kanë ndërmarrë masa për parandalimin e këtij fenomeni, dhe as nuk kanë bërë ndonjë strategji se si të shmangin apo të ulin numrin e padive në gjykata ndaj saj.
Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazlia, ka deklaruar për “Kohën Ditore” se Komuna për përballet me padi, për shkak se qytetarët kanë të drejtë të shfrytëzojnë këto instanca për të realizuar të drejtat e tyre kushtetuese, të cilat ata mendojnë se u janë cenuar, por ka dhënë asnjë argument pse po ndodh një gjë e këtillë.