Qytetarët i mban shpresa se pas zgjedhjeve të ketë hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve të tyre

Prishtinë | 12 Tet 2025 | 15:45 | Nga Diellza Gashi

Qytetarët që votuan në zgjedhjet e sotme lokale në Prishtinë, me të cilët bisedoi Ekonomia Online, thanë se nuk është se janë të kënaqur me dinamikën e ndryshimeve pozitive në kryeqytet, por i mban shpresa se pas këtyre zgjedhjeve do të ketë hapa më seriozë për zgjidhjen e problemeve konkrete të qytetarëve.

Edhe përgjigjja e qytetarit Faruk Ukaj është në këtë frymë.

“Si qytetar se me votë dhe me zgjedhje kam shpresë për ndryshim. Por, si po e shoh shumë ngadalë po shkojnë ndryshimet. Por, shpresoj se do të bëhet më mirë”, tha Faruk Ukaj.

Edhe një tjetër qytetar ishte në të njëjtën linjë mendimi.

“Nuk është që ka pasur ndryshime për mirëqenien e qytetarëve, por le të shpresojmë se kësaj here këta që do të marrrin pushtetin janë vetëdijesuar dhe do ta kthejnë besimin dhe shpresën e qytetarëve”, tha ky qytetar.

Feim Tahirsylaj, një qytetar tjetër, specifikoi problemet, zgjidhjet e të cilëve e pret gjatë mandatit vijues qeverisës në komunën e Prishtinës.

“Sapo votova. Pres ndryshime që e lehtësojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës, sidomos në trafik. Janë edhe disa probleme të tjera, me të cilat nuk po merren siç duhet. Janë jeta kolektive, ndërtesat kolektive, ashensorët. Është edhe një problem, ai i personave me nevoja të veçanta. Mendoj se do të bëhen ndryshime”, tha Tahirsylaj.

Që të tre këta qytetarë pas votimit ishin të mendimit se qytetarët duhet të dalin të votojnë sa më masivisht dhe që kësisoj të japin kontributin e tyre për këtë proces zgjedhor që ai të jetë sa më demokratik.

Të ngjashme