Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket mosvotimit të Trustit në seancën e djeshme. Disa thonë se Projektligji për Trustin Pensional është dashur të votohet, në mënyrë që ta zbuste sado pak krizën ekonomike, e disa të tjerë thonë se me ato mjete nuk zgjidhet kriza ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Mustafë Krasniqi nga Prishtina, ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë, për të cilën thotë se mjetet në Trust janë të tij dhe është dashur të votohet.
“S’ka kurrgjë prej kësaj Qeverie. Çfarë të drejte paret e mia mos me mi dhënë? Unë nuk e shoh të drejtë, me qenë të Qeverisë, shtetit, por të miat janë ato”, tha ai.
E Shefqet Selmanaj, thotë se kriza ekonomike e ka bërë të vetën dhe se është dashur të votohet ai Projektligj.
“Ajo është një rezervë e shtetit, ato mundesh t’i harxhosh kur të duash por kur vjen puna si t’i paguajmë? Qytetarët kanë nevojë, por kriza e ka bërë të vetën, bënë edhe me u’a dhënë shkaku i krizës”, tha ai.
E Gjevdet Makolli, tha për Ekonomia Online se mjetet në Trust kanë qenë të nevojshme, ndonëse thotë se nuk do të kishin bërë ndonjë zgjidhje të madhe.
“VV-ja i ka principet e veta dhe nuk kanë dashur, edhe pse mua më kishin takuar do pare me i tërheq, shumë jam në zor për to por çka me ba. Edhe pse nuk është zgjidhje trusti ka qenë i nevojshëm në këtë kohë për qytetarët”, tha ai.
Por mendim krejt ndryshe e ka Ali Kryeziu. ai e quan të drejtë mosvotimin e këtij Projektligji, të cilën e ndërlidh me festivalin “Sunny Hill”.
“E di që secili prej ne e ka gjendjen pak të keqe, mirëpo me bë kaq bujë për “Suuny Hill” dhe me u anku për Trustin nuk po na takon. Është vendim super i drejtë që Qeveria nuk e ka lejuar Trustin. Çka bënë trusti, jepet për një herë dhe më nuk ka trust, dmth nuk ke ti rrogë fikse që e merr çdo muaj. I merr 300 euro, harxhohen çdo muaj Qeveria nuk jep trust. Nëse kanë pak pare për “Sunny Hill” edhe për Trust ankohen besoj se gabimi është tek qytetarët”.