Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online kanë kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit se me politikat dhe kokëfortësinë e tij, e ka dëmtuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Në Ditën e Evropës, këta qytetarë janë skeptikë se Kosova do të integrohet në “familjen evropiane” në një të ardhme të afërt.
Qani Haliti nga Prishtina, tha për Ekonomia Online se Kosova nuk ka pasur Qeveri më të paaftë as në kohën e komunizmit.
Sipas tij, arritjet që i ka Kosova janë bërë falë qeverive të kaluara, pasi siç tha Kosova me këtë Qeveri s’do të përfitonte “asnjë kërpesh (konop) të lopëve”.
“Nuk kemi udhëheqje, s’kemi Qeveri e as Presidencë e asgjë. Me këta njerëz, Bashkimit Evropian i kemi rënë në qafë e nuk po ka çfarë të bëjë. Disa çështje i arriti t’i bëjë duke iu falënderuar qeverive të kaluara se për këta asnjë ‘kërpesh të lopëve’ nuk na kishin dhënë, se këta janë njerëzit më të paaftë nuk ka pasur, as në komunizëm nuk e mbaj mend që ka pasur më të dobët. Pa kurrfarë ndjenja as kombëtare e as njerëzore, vetëm rrena e dallavere”, tha ai.
Haliti ka kritika edhe sa i përket migrimit, pasi thotë se ikjen në vitin 2015 e ka organizuar Lëvizja Vetëvendosje për ta dëmtuar ish-kryeministrin Isa Mustafa.
“Migrimin deri tash e kam parë shumë më i rrezikshëm që ka qenë deri tash se sa me liberalizimin. Shkojnë tre muaj, kthehen se është një lëvizje. E kjo deri tash që i kanë përzë 100 mijë qytetarë. Më kujtohet kur ishte Isa (Mustafa) e organizuan një dalje e kjo ishte e tyre e (VV-së), e atyre që kanë ardh në pushtet, vetëm për të bërë dallavere kundër Mustafës, kinse nuk po punon. I takojsha ish-nxënës të mi më thonin ‘prof çantat i kemi marrë sa për sy e faqe, na kanë thanë ata’, disa zbritshin te rrethi i Ismetit e disa në Vushtrri, vetëm për të bërë propagandë”, u shpreh Haliti, teksa e sheh të rëndë edhe gjendjen në shëndetësi pas ikjes së mjekëve e infermierëve.
E një tjetër që nuk ka dashur të prezantohet, adreson kritika të mëdha ndaj Albin Kurtit. Kurtin e sheh si fajtorin kryesor.
“Para se me ardh Albin Kurti, i ka mbushur të gjitha kriteret që i ka pasur, përveç Demarkacionit dhe ‘Zajednicën’ e Albin Kurtit që e djegën Parlamentin dhe e shtynë liberalizimin dhe të gjitha tjerat. Përndryshe me Albin Kurtin, dashtë Zoti shkon përpara (Kosova) por unë aspak nuk e besoj. Me gabimet e Albin Kurtit, nuk e ki sot as përkrahjen e Amerikës e le më të Bashkimit Evropian, që kurrë nga BE-ja nuk kemi pas aq përkrahje sa duhet, por së paku Amerikën e kemi pasur aleat të përbetuar”, u shpreh ai.
Ai thotë se në Kurtin nuk ka pasur besim asnjëherë, pasi falë politika të tij, Kosova e ka humbur veriun.
“Albin Kurti duke mos e dëgjuar, edhe Amerika na ka kthyer shpinën. Ku është njohja reciproke, tash për çka po e lyp ‘Zajednicën’, për targa e kush e bëri këtë, e bëri budallakia e Albin Kurti. E dorëzoi veriun, sot atje s’ka asgjë e krejt këto me gabimet e Albin Kurtit. Unë Albin Kurtit nuk i kam besuar kurrë”, thotë ai.