Të shumtë ishin qytetarët që bënë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ditën e sotme, për tri arsye kryesore, ditën e flamurit kombëtar, ditëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen publike për herë të parë të UÇK-së.
Albinot Mehmeti, qytetar nga Skënderaj, tha se kjo datë është e rëndësishme për të bërë homazhe pikërisht për shkak të këtyre arsyeve.
Ai u shpreh se familjarisht, njerëzit duhet t’i bashkohen homazheve para varrezave të familjes Jashari.
“Është shumë e rëndësishme sot me bë homazhe, për arsye se të gjithë e dijmë se 28 nëntori është dita e flamurit, e shtetit shqiptar, është ditëlindja e komandantit Adem Jashari, gjithashtu është edhe dalja për herë të parë e UÇK-së”.
“Shpresoj që të gjithë ne që jemi si familje e re, por edhe të gjitha familjet e reja të tjera, që fëmijëve tanë t’ua lëmë si amanet që të vijmë këtu të përulemi para varrit të Adem Jasharit, para krenarisë sonë kombëtare”.
“Iu kisha bë lutje krerëve tanë shtetëror që të punojnë më shumë për popullin, rininë, sepse gjaku i derdhur për këtë vend është për të mirën e vendit”.
Luan Vocaj, qytetar i Pejës, thekson rëndësinë e të bërit homazhe në Prekaz, teksa tha se aty është gjithçka më ndryshe.
“Ne jemi ardhë prej Dukagjinit, sepse këtu rreh zemra më ndryshe. Prej këtu do të kalojmë edhe në Dukagjin në Gllogjan dhe kështu me radhë deri në Vlorë”.
“Këtu festa dhe shkëndijat e nacionalizmit ndizen më ndryshe”.
Ali Gecaj, po ashtu nga Skënderaj, tha se çdo vit, familjarisht kthehen në Prekaz për të bërë homazhe.
“Sot është festa më e rëndësishme për shqiptarët nga janë i gjithë populli shqiptar. Është ditë e tri festave, festa 28 nëntorit dita e çlirimit, pavarësisë së Shqipërisë, dita e flamurit, ditëlindja e komandantit legjendar dhe dalja e UÇ-së së pari”.
Feriz Perquku, qytetar i Vushtrrisë, vlerësoi se Prekazi është vendi i shenjtë i shqiptarëve.
Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët ku janë dhe që ndihen shqiptarë, ky është vend i shenjtë për shqiptarë.