Qytetarët optimistë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të arrihet këtë vit, duan anëtarësim në BE e liberalizim

Prishtinë | 02 Jan 2023 | 14:56 | Nga Artiona Çtaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Normalizimi i raporteve dhe arritja e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të ndodh këtë vit po vlerësojnë qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online.

Madje ata thonë se ky proces është zgjatur shumë dhe se është koha e fundit që të ketë rezultatet. Krahas kësaj ata po kërkojnë edhe heqjen e vizave e anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Milaim Canaj, shprehet optimist se dakordimi për marrëveshjen arrihet sivjet, duke shtuar se “nuk ka ku shkon më”. Ai shton se synimi i Kosovës duhet të jetë mbrojtja e sovranitetit.

“Po kryhet sivjet, s’ka ku shkon, me këto nuk shkon më. Synimi i Kosovës, sovraniteti kah e kemi komplet me qeto pika edhe kryhet, tjetër muhabet nuk ka, s’ka lëshim më, se me këta çka të lëshoj, me ja lëshuar për shembull veriun e Mitrovicës ai ta lypë edhe jugun, e të lypë Podujevën e Gjilanin e, janë shumë sene”, tha Canaj për Ekonomia Online.

Agim Fushtica tha se është momenti i fundit për këtë çështje dhe se caku duhet të jetë liberalizmi e Bashkimi Evropian.

“Po sipas mendimit tim, jo duhet me u kryer po është momenti i fundit që duhet me u kryer, është situata edhe politike edhe e kanë marrë më me seriozitet se duhet me u kryer kjo sivjet. Se 20 vjet me ndejtë me këtë tension është e paqëndrueshme. Synimi i Kosovës për vitin 2023, në Bashkimin Evropian, vizat, pa u kryrt marrëveshja me Serbinë”, tha Fushtica.

Ndryshe po mendon Fehmi Sogojeva, i cili tha se nuk ka gjasa që marrëveshja të ndodhë, për shkak se Serbia ka kërkesa dhe se nuk do të duhej dialogu fare.

“Gjasat nuk janë, se Serbia na e njohim fort mirë që ka kërkesa, nëse lëshojmë pe ajo kërkon prapë diçka edhe më tepër, e duhet me pasë kujdes politikanët tanë kur të hynë në dialog me ta edhe nuk është e dashtë fare dialog, se pushtuesi kur largohet prej një shtetit s’ka dialog”, tha Sogojeva.

Kurse Fetush Morina kërkon që synim të jetë që mos të lejohet që të migrojnë të rinjtë, raporton EO.

“Këtë rini me ruajt shumë, me shkolluar, me ndihmuar, me ja dhanë kuadrot shtetit. Kadarenë e kam dëgjuar, pas luftës, kur krisi lufta tha ju lutna kosovarëve sa më shpejt me i çelë podrumet, me i çelë shtëpitë me i lëshuar, shkollat duhet me filluar, se nxënësi pa shkollë sikur njeriu pa gjak”, theksoi Morina.

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti ka deklaruar se marsi i këtij viti mund të jetë fundi i dialogut të nisur qysh në vitin 2011. Përshpejtim të këtij procesi kanë kërkuar edhe aleatët.

Të ngjashme