Qytetarët pas dënimit të Gucatit e Haradinajt, kërkojnë që institucionet të angazhohen në mbrojtje të UÇK-së

Prishtinë | 18 Maj 2022 | 13:27 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qytetarët e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi me nga katër vjet e gjysmë burgim ish-krerët e OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, kërkojnë nga institucionet vendëse që të ndërmarrin hapat ligjorë për ta ndalur, siç thonë, “padrejtësinë evropiane”.

Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online thanë se vendimi i Speciales është politik dhe se e njëjta nuk po vepron për kriminelët serbë që kryen krime në Kosovë.

Hajrush Pajaziti nga Prishtina ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të marrë masa dhe të dalë në mbrojtje të çlirimtarëve.

“Shumë keq me të vërtetë. Një dënim shumë që mos me ta marr mendja çka kanë bë ata me ato dënime. Në vend se me i dënua serbët po na dënojnë neve. Sidomos UÇK- që e din çdokush që ka luftuar për vendin e vet. Qeveria duhet të bëjë çka është e mundur dhe mos të kursejë asgjë. Duhet të merr masa dhe të bëjë ankesa”, tha ai.

Ndërsa Vesel Veseli thotë se Gjykata Speciale nuk po i heton krimet që janë kryer në Kosovë.

Ai përmend edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për të cilin kërkon që të hetohet.

“Kam vërejtje në këtë gjykatë që po din të dënojë vetëm shqiptarët a kriminelët serb që kanë bërë krime e gjenocid në popullatën e pafajshme shqiptare nuk din t’i prek. Madje kreun e tyre, presidentin Vuçiq e lë të jetë edhe president a në vend që ai t’a ketë vendin të gjykohet”, u shpreh ai.

“Qeveria e vendit duhet të reagojë me mjete juridike ligjorë për njerëzit tanë. Duhet të kërkojmë dhe të bëjmë vërejtje sepse kjo gjykatë kriminelët serb s’i prek fare”, thotë ai.

Të zënë rob nga “padrejtësia evropiane”, e konsideron Sadudin Hasani, të dënuarit nga Gjykata e Hagës.

Ai thotë se në emër të drejtësisë po bëhet padrejtësi për çlirimtarët e Kosovës.

“Nuk e konsideroj që është i dënuar, por e konsiderojë që një luftëtar  i lirisë është i zënë rob nga padrejtësia evropiane. Institucionet tona s kanë çfarë të bëjnë vetëm se të apelojnë për atë vendim, siç po shihet gjithçka ka për ne vetëm drejtësi nuk ka, në emër të drejtësisë po bëhen padrejtësi për çlirimtarët e Kosovës”, tha Hasani.

E Arbenita Krasniqi, thotë se ky dënim ka ardhur si pasojë e gabimit që e themeluan këtë Gjykatë.

Ajo thotë se për kohë të gjatë, Kosova është gjykuar, ndonëse ka qenë viktimë.

“Gjithë çështjen e konsiderojë mjaft të kontestueshme. Një kohë të gjatë vetë organet dhe institucionet ndërkombëtare kanë bërë padrejtësi në raport karshi Kosovës dhe Serbisë. Kosova gjithnjë është gjykuar ku në këtë rast ka qenë viktimë, ndërsa ndaj Serbisë nuk është marr asnjë vendim pavarësisht pasojave të mëdha në viktima që kanë sjellë në çështje materiale”, tha ajo.

Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale. Gucati e Haradinaj u dënuan për publikimin e dokumenteve të Speciales. Dokumentet ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.

Në dënim do t’u përllogaritet koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.

Trupi gjykues i dënoi të dy edhe me nga 100 euro gjobë.

Të ngjashme