Procesi i votimit në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë ka filluar me kohë, raporton Ekonomia Online. Drejtoresha e kësaj shkolle Zana Beqiri ka njoftuar se të drejtë vote në këtë shkollë kanë 7 mijë e 993 votues.
Qemajl Lumani ishte ndër të parët që kishte ardhur për votuar. Sipas tij, procesi ishte në rregull duke shtuar se pret ndryshime.
“Ishte krejt në rregull procesi, pres që të fitoj më i miri, dhe populli të zgjedh të duhurin”.
Arbër Ahmetaj tha se procesin e votimit e ka përfunduar shpejtë, duke shpresuar në ndryshime.
“Puntë e mira shihen në mëngjes, për një minutë e përfundova procesin, shpresoj që të ketë ndryshime pasi kam votuar për ekspertizën e dëshmuar në botë”.
Sipas vendimit të KQZ-së, numri i fletëvotimeve që janë shtypur për këtë raund është 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, 10 për qind apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij raundi.
KQZ-ja në këto votime do të angazhojë 80 ekipe mobile vetëm për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të paaftësisë shëndetësore, fizike apo çfarëdo paaftësie tjetër.
Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2 450, prej të cilëve 1 544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit.
Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera mobile për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me Covid-19.
Zgjedhjet do të monitorohen nga mijëra vëzhgues të vendit, ndërsa Bashkimi Evropian tashmë ka dërguar një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale.
Kujtojmë se gjatë raundit të parë emrat e 18 mijë e 252 personave të vdekur janë larguar nga lista votuese e zgjedhjeve lokale e cila do të shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve – e njëjta listë ka mbetur edhe në raundin e dytë.