Në ditën kur po mbahet balotazhi për zgjedhjet lokale për kryetar komunash, qytetarët e Prishtinës janë të ndarë në mendime sa i përket se çka presin nga zgjedhjet lokale.
Përderisa disa nuk presin ndryshime të mëdha, të tjerët presin që pas zgjedhjeve të ndodhin ndryshime, raporton Ekonomia Online.
Nazmi Misini tha se nuk pret që të ketë ndryshime të mëdha vetëm pse duhet që të kryejë obligimin e tij.
“Po, paradite e kam kryer obligimin qytetar dhe mendoj që secili duhet ta kryejë këtë obligim. Pak me thanë pres ndryshime. Nuk besoj që diçka mund të ndryshojë në mënyrë radikale, por sido që të jetë janë zgjedhje të rregullta”.
Xhavit Bajraktari tha se pret vetëm gjëra të reja pavarësisht se kush fiton. “Po kem votuar. Presim diçka më të re. Çdo gjë që të vjen më e re është më mirë edhe për popullin. Besoj që duhet ma i miri të fitojë dhe besoj që ai që fiton votat duhet t’ia pranojmë të gjithë”.
Edhe Mirsad Krasniqi tha se pret përmirësim, si në infrastrukturë ashtu edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
“Unë pres që të bëhet më mirë në sferën shoqërore, në infrastrukturë, mbase edhe në punësim mendoj se do të jetë më mirë”.
Edhe Miradije Binaku, pas kryerjes së obligimit qytetar, tha se pret më shumë punësim, sepse sipas saj deri më tash nuk ka pas qeverisje të mirë.
“Po dolëm dhe votuam. Presim shumë sende më të mira se deri më tash; pak më tepër punësim, pak më mirë sesa ka qenë. Deri tash s’ka pasë kurrgjë një të mirë, e tash ta këqyrim”, u shpreh kjo qytetare, para mikrofonit të Ekonomia Online.