Përgatitjet e partive politike për zgjedhje të reja, kanë shtyrë që edhe qytetarët t’i kërkojnë ato. E disa prej tyre, të intervistuar nga Ekonomia Online, e shohin sërish fituese Lëvizjen Vetëvendosje.
Ata shprehen optimist në fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, që zyrtarisht pritet të mbahen vitin e ardhshëm.
Hamdi Gashi u shpreh i kënaqur me qeverisjen aktuale, ndërsa fituese e sheh sërish VV-në kurdo që mbahen zgjedhjet.
“Ma të mirë s’ka hala, jemi tepër të kënaqur, edhe nëse ka zgjedhje prapë do fitoj Albini”.
Mendim të ngjashëm ka edhe Nur Dino i cili kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje për shkak “se nuk po funksionon asgjë”. Thotë se Qeveria i ka duart e lidhura.
“Sipas të gjithave gjasave, vendi duhet të shkoj në zgjedhje, nuk po funksionon kuvendi, nuk po funksionon asgjë, duhet të shkojmë në zgjedhje. Qeveria ka qenë e zënë, i ka pasur duart e lidhura, 20 vjet e kanë pasur pushtetit këta burokratët, e kanë lënë keq, s’ka mundur me bë diçka ky për tri vjet. Sipas mendimit tim nëse në shkojmë në zgjedhje, e para duhet të dal Lëvizja Vetëvendosje, e dyta duhet të jetë LDK-ja e të tjerat këto që janë bërë tash bashkë”, u shpreh ai.
Edhe Osman Rama, një qytetar tjetër, për Ekonomia Online tha se edhe nëse ka zgjedhje Kurti është fitues, ndërsa apelon te partitë tjera që të mos lodhen.
“Së pari 600 fabrika kanë qenë në Kosovë, mbi 40 vite përvojë e punë i merr vetëm 130 euro pension, çka me prit prej tyre, këta duhet të hiqen e të vinë të rinjtë, edhe me pas zgjedhje s’kanë tash çka me bë, se ato veçse janë hëngër tashmë, e nëse ka zgjedhje sipas meje vetëm Albin Kurti duhet të fitoj s’ka tjetër njëherë për njëherë, tjerët as mos u lodhni”, u shpreh ai.
Ndërsa për Ramadan Berishën nuk ka rëndësi se cila parti duhet të fitoj por që primare ka avancimin e shtetit.
“Po si çdo shtet që i ka rregullat e veta që duhet me iu përmbajt, njëjtë janë edhe zgjedhjet, partia e cila është më e drejta, e që bën avancimin e shtetit. Sipas meje nuk ka rëndësi cila është vetëm që ta kryej punën mire”.