Mëngjesin e së premtes në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen “Emshir”, numër i madh i qytetarëve kanë pritur në radhë për tu vaksinuar me vaksinën anti-Covid, raporton Ekonomia Online.
Mirëpo ata janë ankuar se transferimi i Qendrës së vaksinimit në këtë lagje nuk ka qenë vendim i duhur për shkak se është shumë larg qendrës së qytetit.
Mevlyde Nushi, tha se është bërë gabim pasi Qendra është bartur në “Emshir” dhe se për të moshuarit ku është maltretim.
Ajo thotë se ka ardhur që ta marrë dozën e tretë të vaksinën.
“Kam ardhur për dozën e tretë të vaksinës. Gabimin më të madh e kanë bërë që e kanë pru në këtë vend. Shumë më mirë ka qenë atje, më duket diqysh si në mes ka qenë”.
“Prej cilës do pjesë të Prishtinës më afër ajo. Këtu më thanë që është në katin e dytë, unë me zor zbrita prej taksit. Pensionere, a nuk është turp me dhanë pare për taksi”.
Jubica Pacolli për Ekonomia Online tha se iu beson vaksinave prandaj edhe do ta marrë dozën e tretë, duke shpeshuar që mos të përhapet edhe më shumë virusi.
“Po të tretën e kam marrë. Inshalla nuk përhapet virusi, e treta ndoshta na bënë hajr”.
Edhe Halim Peci tha se frikësohet që përhapje më e madhe e virusit do të ndodh, prandaj edhe do të imunizohet me dozën e tretë.
“Kam ardhur për vaksinim doza e tretë sipas rendit. Kam ardhur me bashkëshorten, mirë kemi kaluar mirë na kanë prit, super të kënaqur”, raporton EO.
Deri më datën 20 dhjetor të vitit 2021, vaksinimi për Covid-19 në Prishtinë bëhej në sallën “1 Tetori”, e cila është e dedikuar për aktivitete kulturore e sportive.