Dje është mbajtur mbledhja e tetë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, me ç’rast u nënshkruan 19 marrëveshje ndërqeveritare. Megjithatë, qytetarët e Kosovës janë skeptikë për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.
Bajram Muharremi tha për Ekonomia Online se takimi ka qenë shumë i bukur, por se lutet që marrëveshjet e nënshkruara të realizohen.
Ai thotë se që nga viti 2012 janë nënshkruar shumë projekte por kanë mbetur të parealizueshme.
“Po shumë bukur, kjo duhet të implementohet sa më shpejt në mënyrë vëllazërore. Kështu që i lutem Zotit që projektet që i kanë nënshkruar të realizohen. Nga viti 2012 janë nënshkruar shumë projekte por asnjë nuk është realizuar. Mos të mbesin vetëm fjalë në letër po të realizohen.”
Ndërsa, Isak Hoxha tha se marrëveshjet e nënshkruara nuk do të realizohen asnjë. Por, megjithatë ai e sheh si sinjal pozitiv takimin e djeshëm të krerëve shtetërorë.
“Kurrë më mirë. Krejt ato thashethemet që kanë qenë më herët kanë ra poshtë. Asgjë të keqe nuk ka në mes të Kurtit dhe Ramës në këtë rast, e aq më pak mes dy qeverive”.
“Te marrëveshjet pak më ngadalë, nuk aplikohet po gati asnjë. E para që nuk nuk ka me u apliku, kjo lëvizja e lirë për vikende, festa në mes Shqipërisë dhe Kosovës. Po diçka megjithatë lëvizë”.
Miftar Miftari tha se takimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë e vlerëson shumë e se e vetmja mundësi është bashkëpunimi.
“Me të thënë të drejtën nuk i kam përcjellë, veç në komente që i kam dëgjuar përmes shtypit e televizionit. I vlerësoj shumë, që e vetmja mundësi, i vetmi zhvillim është bashkëpunimi”.
Sa i përket marrëveshjeve, ai thotë se e metë është vonimi i zbatimit të tyre.
“Besoj që po, se veç çka është e meta jonë është se vonohemi në kohë. Kjo është e rrezikshme, koha është e artë gjithçka përreth neve sillet, koha po edhe kombet edhe ne që konkurrojmë në shtetet që pretendojmë me qenë atje ata ecin shumë më shpejt. Është një thënie shumë interesante “Nëse prindi e qet shpejtësinë e hapave në një metër, fëmisë së tij i duhen dy metra për të përparuar. Kësi soji është kombi jonë ose qeveritë tona.”, u shpreh ai, raporton EO.