Qytetarëve nuk iu interesojnë takimet individuale të Kurtit

Prishtinë | 04 Qer 2024 | 15:56 | Nga Besnik Tahiri

Mbrëmë Kryeminstri Kurti na njoftoi për darkën e tij me shkrimtarin, njëherësh nobelistin Orhan Pamuk. Kush nuk do të entuziazmohej nga një mundësi e tillë, i mora lakmi. Kjo sepse njerëzit e zakonshëm mësojnë dhe inspirohen nga shkrimtarët në përgjithësi, nga nobelistët mësojnë diçka më shumë, veçmas urtësinë dhe modestinë.

Çka ndau me ne Kurti nga ky takim. Si për fillim, na tregoi që ai e kishte ftuar Kurtin dhe jo ky nobelistin Pamuk. Kjo edhe pse mes rreshtave kuptohet se nuk njiheshin si miq.

Pastaj tha se për tri orë e gjysmë, u ndërruan më shumë tema se sa pjata. Na bëri të hamendësojmë që nëse për tri orë janë ndërruar, ta zëmë gjashtë pjata, mund t’i ketë ndërruar dhjetë tema. Pastaj me arrogancë e mbylli njoftimin, kjo sepse egoja e tij e paktontrolluar e dalldisë në iluzion, duke u shprehur metaforikisht, që mbase ai dhe Pamuk arritën të shkruajnë përmbledhjen e një kapitulli të, siç thotë, miqësisë së tyre të ardhshme. Pra Kurti ftohet. Me të temat nuk kanë të sosur. Miqësia me të është fisnikërim për nobelistët si Pamuk.

Pra as edhe një porosi të vetme se çfarë u diskutua, e të mos flasim se çfarë mësoi nga Pamuk.

Epo Kurti ndoshta mund t’ja ngacmoj dikujt imagjinatën me përrallat e tij populiste, por së paku në Stambollin e begatshëm, uroj që Pamuk ta ketë kuptuar që Kurti është një lider me prirje autokrati, i cili flet për numrin e madh të pjatave të Stambollit, përderisa qytetarët nën qeverisjen e tij varfërohen, jetojnë me një ose dy pjata, të cilat pagat e ulëta dhe inflacioni po ua varfërojnë.

Çështjet që sot ju interesojnë qytetarëve nuk janë takimet individuale të Kurtit, por ku është Kosova sot. Edhe për gjashtë muaj që i kanë mbetur kryeministrit Kurti deri te nisja e fushatës zgjedhore në ciklin e rregullt zgjedhor katërvjeçar, Kurti duhet të përgjigiet:

• Pse për katër vjet nuk mundi t’i rrisë pagat në sektorin publik, por administrata e shtetit vazhdon të jetë me sigurinë juridike më të ulët në Evropë dhe pagën më të vogël në Evropë.

• Pagën minimale 170 euro, as për tri vjet e gjysmë nuk mundi ta ngritë. Paramendojeni, sektori privat – odat ekonomike po kërkojnë të rritet paga në 350 euro, e kryeministri Kurti ende e ka lënë në 170 euro.

• Ku është Ligji për Sigurimet Shëndetësore?

• Çka ka bërë në arsim?

• Pse nuk po ndreqet rruga Prishtinë-Podujeve qe tri vite e gjysmë?

• Pse nuk u përfunduan rrugët për Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë?

Pyetja thelbësore sot është se çka i thotë kryeministri Kurti popullit të Kosovës për sukseset qeverisëse katërvjeçare, përveç që është takuar me personalitetet të larta, ka diskutuar dhe është kthyer në Kosovë.

Të ngjashme