Qyteza e vogël që nuk u prek nga Coronavirusi

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Campohermoso është vendbanim i 3 mijë qytetarëve dhe në të cilin nuk është raportuar asnjë rast me COVID-19.

Megjithëkëtë, qyteza në Kolumbi përdor radiot dhe altoparlantët për të ngritur vetëdijen në lidhje me koronavirusin.

E vendosur mes malesh, këtu nuk ka asnjë rast të raportuar, konfirmon Ministria e Shëndetësisë në Kolumbi.

Autoritetet thonë se Campohermoso arriti të mbajë virusin larg falë disiplinës së qytetarëve dhe fushatave të vazhdueshme vetëdijesuese që bëjnë thirrje për mbajtjen e distancës e vendosjen e maskë.

Qyteza ndodhet larg rrugëve kryesore dhe mungesa e vizitorëve raportohet se është arsye tjetër e mospërhapjes së virusit.

Kryetari Jamie Rodriguez deklaron se kujdesen që tri herë në ditë në qytet të dëgjohen thirrjet për kujdes. Ai thotë se komunikimi me qytetarë ka qenë kryesori për të mbajtur koronavirusin larg qytezës.

Edhe radiot lokale, tri herë në ditë kanë emisione që u dedikohen masave parandaluese.

Zyra e kryetarit shpërndau 1 mijë radio te fermerët në mënyrë që mesazhet të dëgjoheshin nga të gjithë.

“Të gjithë jemi bashkë në këtë luftë. Policët, mjekët, stafi i kishës e personeli i zyrës së kryetarit marrin pjesë në emisione”, thotë Rodriguez.

Derisa virusi nuk i preki banorët, vetë kryetari u infektua gjatë një vizite në Bogota.

Por, ai qëndroi larg qytezës derisa u shërua në mënyrë që virusi të mos përhapej.

Qyteti nuk i ka ndaluar vizitat e të huajve, por ka masa karantine.

Deri më tani 80 qytetarë që janë mbi 80 vjeç kanë marrë vaksinën për mbrojtje nga COVID-19.

Në përgjithësi, në Kolumbi janë raportuar si të infektuar 2.3 milionë banorë nga gjithsej 50 milionë sa janë.

Përveç Campohermosos, edhe San Juanito është një qytet tjetër i vogël pa asnjë rast me COVID-19.

Të ngjashme