Mesfushori francez Adrien Rabiot ka arritur marrëveshje me Juventusin, kanë njoftuar të martën mediumet franceze.
Bëhet e ditur se Rabiot ka firmosur kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh. Mesfushori 24-vjeçar te Juventusi do të transferohet si lojtar i lirë, pasi kontrata me PSG-në i skadon në fund të këtij muaji, transmeton Koha Ditore.
Rabiot pritet që të prezantohet shumë shpejt te Juventusi dhe është përforcimi i parë për kampionin e Italisë pas trajnerit Maurizio Sarri që u zyrtarizua të hënën.
Rabiot ka qenë pjesë e PSG-së prej vitit 2013 dhe këtë edicion ka shënuar dy gola e tri asistime në 20 paraqitje.
Ai muaj më parë është suspenduar nga klubi francez pasi nuk pranoi të vazhdojë kontratën. Rabiot ka edhe gjashtë ndeshje me Francën.