Analisti politik, Gazmir Raci i tha Ekonomia Online se Kuvendi, si organin kryesor legjislativ, duhet që të funksionojë normalisht dhe të shërbejë si vend i debatit për tema me rëndësi për qytetarët.
Mirëpo Raci duke komentuar bojkotin e Lëvizjes Vetëvendosje në katër seancat e jashtëzakonshme të opozitës, thotë se disa tema që po diskutohen në Kuvend po riciklohen me qëllime jo parimore.
Sipas tij, temat për problemet e përditshme që kanë të bëjnë me reformën sociale, me zhvillimin ekonomik, me papunësinë e poashtu edhe me veriun e Kosovës e sidomos edhe me dialogun do të duhej të debatoheshin në Kuvend.
“Po mendoj që është e rëndësishme Kuvendi me funksionuar sepse është organi kryesor legjislativ është institucion që buron nga vota drejtpërdrejt e popullit dhe votuesve. Natyrisht Kuvendi duhet me shërbyer për tema që janë me rëndësi jetike për jetën e përditshme dhe jo për disa tema që kohë pas kohe po riciklohen me qëllime jo parimore”.
“… unë mendoj që Kuvendi shumë më mirë do ishte të debatonte për problemet e përditshme që kanë të bëjnë me reformën sociale, me zhvillimin ekonomik, me papunësinë e poashtu edhe me veriun e Kosovës e sidomos edhe me dialogun, por natyrisht këto janë partitë momentale opozita që kanë zgjedhur këtë lloj të debatimit për këto tema”.
Ndonëse thotë se nuk e di arsyen e bojkotit, këtë veprim ai e quan fillim të fushatës para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Raci thotë se bojkoti nuk mund të konsiderohet shkelje kushtetuese, raporton EO.
“Por nuk kam kuptuar arsyet pse deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk po marrin pjesë në këto seanca por në një formë ose mënyre unë e kam parë edhe si një fillim i fushatës elektorale për shkak se zgjedhjet tashmë veç janë shumë afër”.
“Nuk është shkelje Kushtetuese sepse deputetët janë të lirë të vendosin se kur dhe si marrin pjesë nëpër seanca, natyrisht që aty kanë obligim qytetarë sepse kanë marrë votën për me i adresuar, për me i zgjedh, me debatuar, por nuk konsideroj si shkelje Kushtetuese”.
Për të katërtën herë më radhë ulëset e deputetëve të shumicës parlamentare mbetën të zbrazëta. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje bojkoti edhe seancën jashtëzakonshme për debatin parlamentar për skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës, por kësaj radhe jo edhe kryeparlamentari Konjufca. Pas tri mungesave në seanca të jashtëzakonshme, ai u shfaq në Kuvend për drejtimin e seancës.