Rënia e vlerës së lirës dhe rritja e inflacionit, ka bërë që shumë qytetarë të Stambollit, të rreshtohen para kioskës së bashkisë ku shitet bukë me një çmim më të lirë sesa në furrat e qytetit.
Duke tentuar që të ulin sa më shumë shpenzimet e familjeve të tyre, qytetarët në lagjen Sultangazi presin për orë të tëra në radhë për të kursyer sadopak lira, teksa shprehin zhgënjimin e tyre për ekonominë e vendit, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit.
“Njerëzit tani janë në një pikë kaq të vështirë sa numërojnë çdo lirë që nxjerrin nga xhepi,” shprehet Ozcan Kethuda, 50 vjeç. Ai fajëson qeverinë për vështirësitë.
“Qeveria duhet të ndryshojë pasi prej 20 vitesh, ndjek të njëjtin sistem”, tha ai. “Shumica këtu mund të thonë “rroftë sulltani im”, por ajo periudhë ka mbaruar. Ata që së bashku me mua votuan për AK Partinë, po përballen me vështirësi”.
Një tjetër qytetar, Ramazan Kambay, tha se gjendja ekonomike e familjes së tij është përkeqësuar ndjeshëm. Dikur ia dilnin me 1000 lira në javë, gjysma për ushqim. Me rënien e lirës, as nevojat e tyre bazike nuk mund të plotësohen më.
Për kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, i njohur si një sfidues i mundshëm i Presidentit Tajip Erdogan, radhët e bukës, tregojnë jo vetëm një krizë ekonomike, por një dështim të qeverisë, shkruan Reuters.
Komuna e tij shet bukë me 1.25 lira ose rreth gjysmën e çmimit në furrat e zakonshme dhe pothuajse ka dyfishuar prodhimin e bukës në rreth 1.5 milionë bukë në ditë për të përmbushur kërkesën e lartë.
“Kjo tregon shumë qartë varfërinë. Njerëzit nuk kënaqen kur rrinë në radhë për të blerë bukë,” u shpreh ai për Reuters.
Vetëm në nëntor, lira humbi rreth 30% të vlerës së saj, ndërsa inflacioni zyrtar vjetor arriti në 21.3%, pasi banka qendrore në Turqi, uli normën e saj të interesit në 15% nga 19% që nga shtatori, nën presionin e Erdoganit.