Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së dhe njëherit Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Në këtë takim, Radoniqi mirëpriti përfundimin e procesit të reformës zgjedhore, ndërsa bisedoi me ambasadorin Szunyog lidhur me angazhimin aktual të KQZ-së për harmonizimin e Rregulloreve Zgjedhore me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili është miratuar në fillim të qershorit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Radoniqi falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë që është bërë pjesë e këtij procesi.
Nga ana e tij, ambasadori Szunyog u shpreh i kënaqur që në reformë zgjedhore janë përfshirë shumica e rekomandimeve të vëzhguesve të Bashkimit Europian, të cilët që nga viti 2013 kanë vëzhguar nga afër proceset zgjedhore në Kosovë.
Po ashtu, ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar me mbështetje për KQZ-në në harmonizimin e akteve nënligjore me ligjin e ri.