Rafuna: 2024-ta vit i vështirë për bizneset, deficit i lartë tregtar dhe mungesë investimesh

Prishtinë | 01 Jan 2025 | 10:30 | Nga Hasan Hoti

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Ekonomia Online se viti 2024 nuk ka qenë i mirë për bizneset vendëse, ndërsa si shqetësim tjetër e sheh deficitin e lartë tregtar dhe rritjen e pamjaftueshme të ekonomisë.

Lufta në Ukrainë e krizat tjera, sipas Rafunës kanë qenë arsyet kryesore që Kosova ka një përqindje kaq të ulët të rritjes ekonomike. Madje, një rritje të tillë sipas Rafunës Kosova e ka pasur para pandemisë.

“Viti 2024 për bizneset kosovare ka qenë një vit me sfida, një vit me shumë kërkesa në kuptimin e ndryshimit të legjislacionit, në kuptimin e mbështetje më të madhe nga institucionet publike, por megjithatë bizneset ia kanë dalë brenda mundësive dhe kapaciteteve që i kanë që të zhvillohen edhe sot ta kemi këtë stad të zhvillimit që e kemi si Kosovë”, ka thënë Rafuna, teksa inflacionin aktual e sheh rreth 3 për qind.

“Nëse e shohim në nivel global, inflacioni thuajse është kthyer në normat e para pandemisë, sillet rreth 3 për qind. Banka Qendrore Evropiane tani parashikimin që e ka dhënë për inflacionin në tregun evropian sepse edhe neve na prek drejtpërdrejt dhe parashikimet janë që do të jenë rreth 2,2 për qind. Kështu që lajmi i mirë është inflacioni sipas situatës që e kemi momentalisht nën parashikimet që nuk do të ketë luftëra të reja e nuk do të ketë kriza të reja në energji elektrike, nuk parashihet që të rritet më shumë inflacioni dhe me këtë i bie që nuk do të ketë rritje të normave të interesit të kredive”, u shpreh ai.

Kreu i OEK-ut ka treguar edhe elementet që e kanë penguar rritjen ekonomike në vend. Fajëson institucionet e vendit për mosshpenzim të investimeve kapitale.

“Nëse kthehemi brenda në tregun kosovar, rritja ekonomike po sillet rreth 4 deri në 4.2 për qind që është nën mesataren e viteve të mëparshme. Tani edhe para pandemisë këtu pari jemi sjellë, nuk po arrijmë që ta kemi një rritje më të lartë që do të lë gjurmë në zhvillimin ekonomik të vendit, edhe kjo rritje ekonomike që ka ardhë, ka ardhë falë investimeve private. Pak investime publike, kur them pak po e theksoj me qëllim sepse institucionet tona gjithmonë nuk e ka shpenzuar shumën e paraparë me buxhetin. Pse nuk kemi rritje më të madhe? Pse nuk kemi investime më shumë? Ne jemi dëshmitarë që gjatë këtij viti që po e lëmë pas kemi pas tensione të kohëpaskohshme të cilat nuk kanë qenë një mesazh i mirë për investitorët e huaj me ardh e me investua në Kosovë dhe e dyta nuk kemi arrit që të thithim investime të huaja, të sjellim inestitorë kualitativ në Kosovë dhe e treta, padyshim që gjurmë kanë lënë edhe masat ndëshkuese që i kemi pasur të Bashkimit Evropian për arsye se kanë mbetur mbi 300 milionë deri më sot aq sa kemi mundur të shohim si projekte që kanë në diskutim”, u shpreh Rafuna.

Shqetësim tjetër sipas Rafunës është edhe deficiti i lartë tregtar, ku vlera e importit ka shkuar në 6 miliardë euro.

“Fatkeqësisht po, deficiti është duke u rritur. Vlera e mallrave të importuara po shkon rreth 6 miliardë, ne jemi duke e mbuluar me 14.6 për qind eksportin me import dhe ka shumë hapësirë dhe është e dhimbshme që krejt investimet e huaja që i kemi, shumica absolute na vijnë prej diasporës sonë dhe ato investime shkojnë në patundshmëri dhe nuk i kemi kthyer në prodhim ose në projekte konkrete zhvillimore për vendin tonë në projekte kapitale. Duhet të punojnë shumë institucionet e vendit. Ne jemi në prag të zgjedhjeve dhe unë kam pritje që Qeveria e re, kushdo që do të jetë, duhet ta ketë këtë orientim dhe duhet ta ketë partner sektorin privat dhe Qeveria e re duhet ta angazhojë sektorin privat në diplomacinë ekonomike për të thithur investime”, deklaroi Rafuna.

Të ngjashme