Rafuna: Bizneset po marrin punëtorë nga Bangladeshi e India, Kosova po shihet si vend transit për në BE

Prishtinë | 17 Mar 2024 | 09:00 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë për Ekonomia Online se bizneset e Kosovës po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, sidomos në dy vitet e fundit.

Sipas Rafunës, bizneset kanë filluar të marrin punëtorë nga jashtë, nga vende si Bangladeshi, India e Nepali, por nuk ka siguri se ata punëtorë do të qëndrojnë gjatë në Kosovë, pasi më tepër e shohin Kosovën si vend transiti për në shtetet e BE-së.

Ai ka kritikuar Qeverinë se nuk ka strategji ose plan për ndaljen e migrimit të të rinjve dhe të fuqisë punëtore.

“Kjo  është një sfidë që është duke përcjellë sektorin privat. Tani jemi në vitin e tretë, sidomos ka qenë e theksuar dy vitet e fundit, si vite të plota 2022 – 2023, por edhe 2021 nuk përjashtohet. Sfida më e madhe për momentin, edhe kur e bëjmë analizat me anëtarët e Odës Ekonomike, mungesa e fuqisë punëtorë na paraqitet si sfida më e madhe; mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar por edhe të pakualifikuar”.

“Përkundër që kanë ndërmarrë masa bizneset me zbutë këtë mungesë të fuqisë punëtore, ndërmjet investimeve të pajisjeve të teknologjisë, ajo po paraqet kosto shtesë për bizneset. Po edhe importimi i fuqisë punëtore prej vendeve të tjera, si prej Bangladeshit, Indisë, Nepal e kështu më radhë, nuk paraqet një siguri që ata punëtorë do të qëndrojnë gjatë në Kosovë. Ata zakonisht po e shohin Kosovën si një vend transit dhe derisa ta gjejnë një mundësi tjetër për të dalë në vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Rafuna.

“Kjo mbetet sfida më e madhe për sektorin privat, përkundër që kanë lëvizur me kushte sa i përket pagës edhe kushteve të tjera dhe për këtë jam shumë i lumtur… A është idealja nuk është idealja”.

Ish-ministri i Financave ka kritika edhe në drejtim të institucioneve për mungesë veprimi për ndaljen e migrimit. Thotë se Qeveria duhet të hartojë një plan për ndaljen e të rinjve dhe të fuqisë punëtore.

“Duhet më vënë theksin tek institucionet e vendit. Është e habitshme qysh nuk sillet një strategji, ose një plan i veprimit së paku, qysh me u mundu me i ndalë të rinjtë mos me dalë jashtë dhe mu mundu me i kthye ata të cilët na kanë dalë jashtë; që me pa Kosovën si një mundësi, me pa Kosovën që ka një të ardhme të mirë këtu”, deklaroi Rafuna për Ekonomia Online.

Të ngjashme