Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, është pritur të mërkurën, nga kongresmeni Robert Aderholt, me të cilin ka biseduar për rolin e biznesit në thellimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal si dhe rolin e SHBA-së në këto procese.
Në njoftimin për media nga OEK, thuhet se në cilësinë edhe të Kryesuesit të Fondit Investues të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, kryetari Rafuna e ka informuar kongresmenin Aderholt për potencialin për të tërhequr investime të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq, kongresmeni Aderholt sipas njoftimit ka shprehur gatishmërinë e SHBA-së që të përkrah përpjekjet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e që sjell paqe e stabilitet për tërë rajonin.
Tutje thuhet se Rafuna ka theksuar se komuniteti i biznesit po kontribuon në avancimin e vendeve të tyre në proceset e integrimeve euroatlantike.