Rafuna: Viti 2024 do të përmbyllet me rritje ekonomike rreth 4.2 për qind, që nuk lë ndonjë gjurmë

Prishtinë | 18 Dhj 2024 | 14:35 | Nga Gzim Mujaj

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur Kuvendin e saj, me ç’rast anëtarët e Odës janë njoftuar me punën dhe sfidat që kjo organizatë dhe vendi ka pasur gjatë vitit 2024, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka thënë se viti 2024 ka qenë një vit shumë dinamik me shumë suksese për OEK-un, por edhe me sfida.

Rafuna ka bërë të ditur se viti 2024 pritet që të përmbyllet me një rritje ekonomike me rreth 4,2 për qind dhe se rritja ekonomike e njëjta pritet që të ndodhë edhe në vitin 2025.

Ai ka shtuar se inflacioni është kthyer në normën që ishte para pandemisë në vlerën e rreth 3 për qind.

“Te ambienti makro-ekonomik, trendet që janë duke u zhvilluar, parashikimet për vitin 2025 prapë nuk janë shumë optimiste për shkak se gjithçka do të vendoset nga administrata e re amerikane dhe Gjermania. Kur jemi te inflacion, sipas raportit të Bankës Botërore inflacioni është kthyer në normën që ishte para pandemisë në vlerën e 3 për qind. Sipas Bankës Botërore në vendet evropiane inflacioni do të sillet 2.1 deri në 2.2 për qind. Besojmë që edhe në Kosovë nuk do të jetë më shumë në kushtet që nuk do të ketë kriza të tjera. Kosova këtë vit po e mbyll me një rritje ekonomike 4,2 për qind, një rritje ekonomike që nuk lë ndonjë gjurmë, që po sillet ne mesataren e dy tre viteve. Sipas trendëve që jemi duke i parë edhe viti që po vjen do të jetë pak a shumë i njëjtë”, ka thënë ai.

Kryetari i OEK-ut ka theksuar se vendi është duke u përballur me një deficit të lartë tregtar, ne të cilin duhet të ketë ndërhyrje emergjente të qeverisë

Ai ka thënë se investimet kapitale kanë pasur një ngritje të vogël këtë vit; dominojnë investimet e diasporës, të cilat sipas tij, janë investime që nuk kanë shkuar në prodhim, por në patundshmëri.

Ai tha se gjatë viti 2024, OEK ka zhvilluar pasur 50 vizita, si dhe ka nënshkruar 21 marrëveshje bashkëpunimin.

“Në bilanci tregtar, ne kemi deficit, më shumë importojmë sesa eksportojmë. Krahasuar me periudhat e njëjta vlera e importit të mallrave ka arritur në 5 miliardë e 700 milionë. Ky është indikatori më i mirë dhe më i sigurt i çdo qeverie që të merren masa urgjente për të ngritur prodhimin për të shtuar eksportin dhe për të ulur importin. Investimet e huaja që i kemi pasur në Kosovë, sipas Bankës Qendrore, deri në shtator kemi marrë krahasimin me vitet e kaluara, ka një ngritje të vogël prej 6.2 për qind. Prijnë investimet e diasporës, këto investime nuk janë që kanë shkuar në prodhim, por janë investime që kanë shkuar në patundshmëri”, tha Rafuna.

Venera Rexha, drejtoreshe e Departamentit për Projekte dhe Investime, ka thënë se OEK gjatë viti 2024 ka organizuar një sërë forumesh ekonomike ndërkombëtare, duke përfshirë Forumin Ekonomik Kosovë-Arabi Saudite më 29 shkurt, Forumin Ekonomik Kosovë-Portugali me 19 qershor dhe Forumin Ekonomik Kosovë-Greqi më 5 shtator.

“Këto forume kanë bashkuar mbi 300 kompani nga Kosova dhe 180 kompani ndërkombëtare nga Arabia Saudite, Portugalia dhe Greqia, duke krijuar mundësi për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar. Takimet B2B të organizuara në këto forume kanë përfshirë sektorë të rëndësishëm si teknologjia, turizmi, industria e përpunimit të ushqimit, bujqësia dhe energjia e ripërtëritshme”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e Departamentit te Financave në OEK, Eralda Kurtaj, ka thënë se për dy vite OEK e ka trefishuar buxhetin e saj.

“Te pjesa e anëtarësisë pjesa e të hyrave ka qenë 94 mijë. Të hyrat nga trajnimet kanë qenë 64 mijë në vitin 2022, ndërsa te viti 2024 veç trajnimet dy-tre ditore e kanë kaluar shumë e 50 mijë eurove. Te të hyrat nga qeraja është në vitin 2022, 155 mijë. E kemi trefishuar pjesën e të hyrave të OEK-ut”, ka thënë ajo.

Kuvendi i OEK-ut në këtë mbledhje ka marrë vendim që të formojë anëtarësinë e re të arbitrazhit.

Të ngjashme