Kompania gjermane “Rahmer” që po investon tek KEK-u kërkon nga FFK-ja reagim urgjent
“Rahmer” që ka marrë në pronësi skuadrën nga Kastrioti “KEK-u” përmes përfaqësuesve të vet ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës të reagojë në lidhje me padrejtësitë siç pretendojnë “Elektricistët” që u janë bërë atyre në dy ndeshjet e fundit.
Përmes një kumtese për media përfaqësuesit e kompanisë “Rahmer” kanë kërkuar takim direkt me kreun e FFK-së, Fadil Vokrrin dhe kryetarin e gjyqtarëve, Përparim Hasani. Gjithashtu ata do takohen edhe me ambasadën gjermane në Kosovë, në mënyrë që të kërkojnë nga ta mbrojtjen e investimeve në Kosovë.
Në vazhdim ju sjellim edhe kumtesën e plotë:
“Përmes kësaj shkrese për media si kompani investuese në Kosovë, përkatësisht në futbollin kosovar tek skuadra FC KEK-u, shprehim shqetësimin dhe indinjatën e thellë në lidhje me duelet e fundit, në të cilat FC KEK-u është dëmtuar rëndë, sikurse nga gjyqtarët, po ashtu edhe nga Komisioni Disiplinor, duke i humbur plotë pesë pikë të cilat në një formë apo tjetrën na lënë prapa në luftën për inkuadrim në elitën e futbollit kosovar.
Por, shqetësimi nuk mbetet vetëm këtu, me shpresën dhe vullnetin ne kemi bindur investitorët gjerman të kompanisë “Rahmer” , që të vijnë dhe të investojnë në futbollin kosovar dhe me ngjarjet e fundit, jemi totalisht të shokuar dhe kërkojmë përgjegjësi urgjente, para se të ndërmarrim hapat e tjera. Megjithëse, kemi kërkuar edhe nga Ambasada Gjermane në Kosovë, një takim për t’iu treguar dertet dhe hallet që përballen investitorët e këtij vendi në Kosovë dhe gjithashtu, kemi gati lëndën për ta dërguar edhe në instancat më të larta të futbollit në Europë dhe Botë, UEFA dhe FIFA.
Të gjitha këto shqetësime, halle dhe brenga, i kemi të argumentuara, qoftë me pamje filmike apo raporte të personave kompetent.
Kemi kërkuar edhe nga Kryetari Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Fadil Vokrri, që të merren masa urgjente në lidhje me ngjarjet e fundit, të ndodhur në dy duelet e Ligës së Parë, që FC KEK-u i ka zhvilluar në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq me Vllazninë e Pozhoranit dhe Ulpianën.
Gjithashtu, shkresë i kemi dërguar edhe kryetarit të gjyqtarëve të Kosovës, z.Përparim Hasani, që të marr masa ndaj të gjithë atyre gjyqtarëve, të cilët me gabimet e tyre e kanë dëmtuar rëndë skuadrën dhe projektin tone, i cili ka filluar të implementohet dhe rrezikohet për shkak të këtyre personave.
Kemi kërkuar edhe nga Komisioni i Garave, që ti rishqyrtoj vendimet e fundit të marra në dëm të skuadrës së FC KEK-u, duke e kërkuar fajtorin diku tjetër dhe jo brenda projektit gjigant që ka kompania “Rahmer”.
Si përfaqësues i kompanisë së madhe gjermane “Rahmer”, edhe njëherë iu bëj apel të gjithë juve, personave kompetent të ndërmerrin masa dhe të na ndihmojnë në implementimin e programit dhe investimeve në Kosovë dhe asgjë më shumë se veç duke përdorur slloganin “My game is fair play” dhe ne kërkojmë të luajmë fair play dhe këto padrejtësi ndaj nesh të marrin fund”.