KB Rahoveci prej të hënës ka nisur mobilizimin për edicionin e ri, por nuk do të ketë synime të mëdha sikurse edicionet e shkuara në Superligën e Kosovës në Basketboll. Në klub insistojnë se do të luftojnë për mbijetesë derisa kanë lënë pezull edhe pjesëmarrjen në Ligën Unike që pritet të startojë muajin e ardhshëm.
Rahoveci është njëra prej katër skuadrave elitare të Kosovës që janë propozuar nga FBK-ja për të garuar në ligën e përbashkët me Shqipërinë.
Por “vreshtarët” ende nuk garantojnë pjesëmarrjen. Kështu të paktën ka thënë Alban Rama, që ka marrë sërish postin e kryetarit të klubit pas kuvendit zgjedhor që është mbajtur të dielën mbrëma ku është zgjedhur bordi i klubit.
Rahoveci për më shumë se tri javë ishte pa kryesi. Kryesia e kaluar dha dorëheqje me pretendimin se komuna e Rahovecit nuk ka mbajtur premtimin.
Rama ishte ushtrues i detyrës së kryetarit në kryesinë e kaluar dhe të martën ka thënë se me insistimin e delegatëve ka vendosur të rikthehet. Ai ka treguar se vështirësitë janë shumë të mëdha për ta bërë ekipin gati për sezonin e ri, duke pasur parasysh se pas një jave, më 29 shtator, përfundon afati kalimtar për basketbollistë. Rama ka thënë se para se të pranojë detyrën e ka firmosur një marrëveshje me të gjithë delegatët e kuvendit të cilët i kanë premtuar përkrahje në çdo aspekt për të mirën e klubit.
“Pas tri javësh e gjysmë pa kryesi dhe pa asnjë iniciativë të ndokujt, vendosa sërish që të thirret kuvendi për ta shpëtuar klubin nga më e keqja, shuarja. Fatkeqësisht prej të gjithë kuvendarëve askush nuk ishte i gatshëm për ta marrë përsipër klubin edhe pse të gjithëve iu ofrua kjo mundësi. Doja që mos të kthehesha, por insistimi i delegatëve për ta bërë një gjë të tillë që të mos shpërbëhet klubi, më bindi”, është shprehur Rama. “Kam marrëveshje më të gjithë delegatët që do të thotë se do të vazhdojë kështu derisa të mundem sepse do të jetë shumë vështirë. Nuk do të jetë aspak lehtë për faktin se nuk ka mbetur shumë kohë dhe duhet të fillojmë që të bëhemi gati për pjesëmarrje në gara”.
Rama ka pranuar se vështirësitë financiare janë shumë të mëdha, gjë që e detyron ta pranojë se Rahoveci nuk do të jetë pretendues për ndonjë trofe. Madje ai ka shtuar se gjasat janë të mëdha që klubi mos të marrë asnjë përforcim të huaj, por të fokusohet tek vendorët, të cilët do ta kenë synim për ta mbajtur klubin në elitën e basketbollit të Kosovës. Sa i përket Ligës Unike, pjesëmarrja mbetet në dyshim. Rahoveci, Sigal Prishtina, Golden Eagle Ylli dhe Peja janë skuadrat e propozuara nga FBK-ja për pjesëmarrje në këtë ligë. Edhe Peja mbetet në dyshim për këtë ligë shkaku i telasheve të mëdha financiare.