Kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore Goran Rakiq ka thënë se është e drejtë e pushtetit lokal se çka të ndërtojë në territorin me të cilin menaxhon dhe ka shtuar se paralajmërimet e autoriteteve qendrore në Prishtinë për prishjen e murit i tejkalojnë kornizat e tij.
Ai ka deklaruar për Radio Televizionin e Serbisë se me marrëveshjen e Brukselit është rënë dakord për revitalizimin e urës dhe rindërtimin e rrugës Mbreti Peter, që është shndërrimi i saj në një zonë për këmbësorë.
Sipas tij, është e drejtë e pushtetit lokal për të përcaktuar se çfarë të ndërtohet, dhe kjo është e rregulluar me ligjet e Kosovës si dhe në Bruksel është rënë dakord për një gjë të tillë.
Rakiq paralajmëroi se deklarata në lidhje me prishjen e murit shkaktojnë ankth në mesin e serbëve në veri të Mitrovicës, duke shtuar se autoritetet e Prishtinës “që assesi të mos përpiqen ta bëjnë një gjë të tillë me dhunë”.