Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, paralajmëroi mundësinë e daljes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në shenjë proteste kundër dënimit të ish-ministrit në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviqit.
Ai ka thënë se do t’iu bëjë thirrje serbëve të braktisin institucionet e Kosovës, nëse konfirmohet dhe bëhet i plotfuqishëm aktgjykimi ndaj tij, transmeton Koha.net raportimin e Radio Evropës së Lirën në gjuhën serbe.
Më saktësisht, ai ka thënë se thirrja për të lënë vendet e punës do t’u dërgohet të gjithë përfaqësuesve të pakicës serbe në Kosovë.
Gjatë një konference me gazetarët në lidhje me dënimin e Todosijeviqit, Rakiq ka thënë se “dita e sotshme duhet të mbahet në mend si një faqe e zezë për gjyqësinë në Kosovë” .
Rakiq deklaratën e Ivan Todosijeviqit, i cili “në cilësinë e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës” e ka quajtur delikt verbal, si një rast unik.
Të kujtojmë se Todosijeviq “Me datën 24.03.2019, në rrugën ”Kral Millutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, shprehet se ”Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim. Janë terroristet shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi… Kanë bërë krime para agresionit të NATO-së, kanë vrarë shtëpiakë të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të të ashtuquajturit mision paqësor në Kosovë e Metohi”.